E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i fëmijëve të kthyer në familjet biologjike

39 fëmijë të trajtuar në institucionet publike dhe jopublike, janë rikthyer në familjet biologjke gjatë periudhës janar-shtator 2009. “Ky numër krahasimisht i  rritur me vitin e kaluar dëshmon për efikasitetin e punës së kryer nga Shërbimi Social Shtetëror për zbatimin e parimit që çdo fëmije t’i gjendet një familje", tha në një prononcim Drejtori i SHSSH-së, Mihal Naço.  Ai tha se nëse gjatë 2008-ës u kthyen në familjet biologjike 22 fëmijë, gjatë këtij viti ky numër arriti në 39, prej të cilëve 20 nga institucionet publike dhe 19 nga ato jopublike. Sipas tij, politikat shtetërore për fëmijët jetimë kanë në qëndër të saj parimin që sa të jetë e mundur, asnjë fëmijë të mos mbetet jetim. Falë hapave të deinstitucionalizimit, numri i fëmijëve rezidencialë në total në krahasim me vitet e tjera vjen duke u ulur në përqindje të konsiderueshme. "Lajtmotivi i punës sonë profesionale është që për çdo fëmijë të ketë një familje. Kjo do të thotë që për çdo fëmijë jetim të shmangim çdo pengesë që frenon kthimin dhe lidhjen e fëmijës së braktisur me familjen biologjike, si dhe në se nuk është e mundur kjo (kthimi në familjen biologjike), të gjejmë “familje alternative”, e cila mund të jetë familje kujdestare e përkohëshme, që shërben si periudhë për kthimin e fëmijës në familjen biologjike”, shpjegon Naço. Bazuar në statistikat e deritanishme, Naço tha se gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2009, janë trajtuar në institucione publike gjithsej 315 femijë,  76 ditorë dhe 239 rezidenciale. Ndërsa në 17 institucione rezidenciale jo  publike si dhe qëndra ditore janë trajtuar gjithsej  348 fëmijë. Duke patur parasysh që institucioni konsiderohet si një moment kalimtar për jetën e fëmijëve dhe objektivi kryesor është gjetja e zgjidhjes më të mirë për çdo fëmijë, puna e punonjësve socialë të këtyre institucioneve është përqëndruar në krijimin e kontakteve sa më të shumta me prindërit apo të afërmit e fëmijëve, me qëllim kthimin e tyre në familjet biologjike ose gjetjen e një familje birësuese për çdo fëmijë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›