E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyjnë në fazën përfundimtare punimet në ujësjellësin ri të Vlorës

Punimet, për zbatimin e projektit të ndërtimit të ujësjellësit të ri të qytetit të Vlorës, një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj hollandeze, me një vlerë prej rreth 26 milionë euro, kanë hyrë në fazën përfundimtare. Kryetari i Bashkisë së qytetit të Vlorës, Shpëtim Gjika, tha se, “aktualisht ka përfunduar shtrimi i linjave të furnizimit në 46 km gjatësi, nga 52 km që është totali”. Sipas tij, “punimet janë realizuar në akset kryesore rrugore të qytetit dhe aktualisht po vazhdojnë në ato dytësore dhe me këtë ritëm, ujësjellësit i ri i qytetit të Vlorës, parashikohet të përfundojë në pranverën e  vitit të ardhshëm. Projekti i ndërtimit të infrastrukturës së re të ujësjellësit, është investimi më i rëndësishëm në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Vlorës, në disa dekada. Me përfundimin e këtij investimi, do të rritet mbrojtja e burimeve të Ujit të Ftohtë, do të rehabilitohet sistemi i furnizimit me ujë dhe do të zgjerohet rrjeti i shpërndarjes. Përmes projektit, deri tani janë rehabilituar stacionet e pompimit numër 4 dhe 6, dy depo uji me kapacitet të përgjithshëm prej 4650 metër kub, si dhe do të ndërtohet stacioni i ri i pompimit numër 7 dhe një depo e re uji me kapacitet prej 6000 metër kub. Nga ana tjetër, për lidhjen e stacioneve të pompave dhe depozitave të ujit,  po shtrohen 4.2 km tubacione çeliku të diametrave të mëdhenj, ndërkohë që janë zëvendësuar në pjesën më të madhe  linjat ekzistuese të amortizuara në sistemin parësor dhe dytësor të kalimit të ujit. Projekti do të garantojë furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm të banorëve. Sistemi ekzistues i shpërndarjes i qytetit të Vlorës, që është ndërtuar në vitet ’30-’40-të të shekullit të kaluar, është mjaft i amortizuar dhe garanton furnizimin me ujë të pijshëm, 5-6 orë në 24 orë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›