E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në NEWS24: Buxheti, optimal. Investimet do trefishohen

TIRANE - I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në televizionin NEWS24, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha deklaroi se buxheti i vitit 2012 parashikon trefishimin e investimeve për kryeqytetin.

“Totali i buxhetit për vitin e ardhshëm është rreth 70 milionë dollarë. Vlera reale e investimeve që do të shkojnë për qytetin është trefishuar. Granti i qeverisë është pak më i lartë së në vitin 2010 dhe 2011, afro 200 mijë dollarë më shumë.”,- deklaroi kryebashkiaku Basha.

Sipas Bashës, ndonëse granti i qeverisë është pak a shumë në të njëjtat nivele, leverdia e pushimit të luftës mes Bashkisë dhe qeverisë qëndore është shumë e rëndësishme.

Ndër të tjera, kryebashkiaku nënvizoi se reduktimi i taksave rrit iniciativat dhe nxit qytetarët për t’i paguar ato.

“Ulja e taksave është një stimul për të dalë nga informaliteti, duke ulur taksat rrisim iniciativat dhe nxisim qytetarët për t’i paguar ato. Jo vetëm heqje të taksave, por edhe reduktimi i procedurave administrative dhe burokracive ka një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e bizenesit.” -vijoi më tej Basha.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Tiranës theksoi se qytetarët janë bërë pjesë e qeverisjes, pasi buxheti i Tiranës i kalon Këshillit pasi ka kaluar më parë në konsultim me qytetarët.

PLANI URBANISTIK, BASHA: NË VJESHTË NIS ZGJERIMI I BULEVARDIT
I pyetur për planin urbanistik të Bashkisë së Tiranës, kryetari Basha u shpreh se për të po punojnë ekspertët më të mirë vendas e të huaj, ndërsa shtoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë plan përfundimtar në Bashkinë e Tiranës.
"Plani urbanistik është në rrugë e sipër. Në Bashkinë e Tiranës nuk ekziston asnjë plan përfundimtar i Bashkisë së Tiranës. Që të quhet i përfunduar ai duhet të jetë një plan i plotë ambiental, demografik, ai që është nuk përcaktonte as kornizën kohore, ne kemi përcaktuar një plan për 30 vitet e ardhshme”, tha Basha, ndërsa shtoi se është parashikuar një skenar optimal për palnin e Tiranës. Ai tha më tej se për bërjen realitet të këtij plani Bashkia do të bashkëpunojë me 7 komunat përreth.

Kryebashkiaku tha më tej se, plani urbanistik që ai paraqet nuk është i ri, por i vjetër sa vetë Tirana, ajo që bën ndryshimin është vullneti për ta bërë realitet.
“Ne kemi vullnetin për ta bërë”, tha ai.

Basha sqaroi se, në këtë plan përfshihet zgjerimi i Bulevardit Zogu i Parë, zhvendosja e Stacionit të Trenit, krijim i një terminali hekurudhor që më pas do të jepet me koncesion, terminal i tramit nga Lapraka në qendër, autobusë interurban, etj. “Brenda verës së ardhshme do të kemi gati projektin teknik për të ndërtuar bulevardin e Tiranës, ndërsa brenda vjeshtës pritet të nisë puna”, tha Basha.

Ai foli më tej për ndërtimin e një kryeqyteti policentrik. “Tirana policentrike, është kryeqyteti ku qytetarët gjejnë 95 % të shërbimeve afër qendrës ku jetojnë”, tha Basha.
(Vijon)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›