E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Turqi, merr mbështetje për disa projekte në Tiranë

TIRANË- Turqia do të mbështesë një sërë projektesh për zhvillimin e Tiranës. Kjo u bë e ditur gjatë vizitës që kryebashkiaku Basha zhvilloi në kryeqytetin e Turqisë, Ankara dhe në Stamboll me ftesë të kryebashkiakëve të këtyre qyteteve. Në takimin me kryebashkiakun e Ankarasë Melih Gucek u diskutua për rritjen e bashkëpunimit mes dy bashkive në fushën e projekteve sociale.

I shoqëruar nga zoti Gucek, zoti Basha vizitoi disa parqe, qendra sociale të trajnimit profesional, shkolla, kopshte dhe çerdhe të ngritura nga Bashkia e Ankarasë. Ndërsa në Stamboll, Basha u prit nga kryetari i Bashkisë Kadir Topbash.
“Diskutuam për projekte konkrete, nga fusha e transportit publik, tek fusha e ujësjellës kanalizimeve, mbetjeve urbane, projekteve socialeve. Unë pres me padurim të përfitoj nga përvoja e çmuar e kryetarit Topbash dhe e Bashkisë së Stambollit e drejtuar prej tij”, tha Basha.

Ndërkaq gjatë qëndrimit në Ankara Basha u takua me ministrin e Financave zotin Mehmet Shimshek dhe drejtues të bankës së njohur turke Exim Bank. Kryebashkiaku Basha vizitoi edhe metronë e Stambollit, qendrën e monitorimit të saj si edhe linjën e tramit.
´(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Basha në Turqi, merr mbështetje për disa projekte në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›