Basha, në mbledhjen e jashtëzakonshme të NATO-s
Për herë të parë Shqipëria bashkë me Kroacinë ftohen të marrin pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel ministrash të Jashtëm. Shqipëria do të përfaqësohet sot në Bruksel me ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme, ministri Basha do të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të Jashtëm të NATO-s, që do të zhvillohet sot në Bruksel. Në qendër të takimit të diplomatëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut do të jetë situata dhe zhvillimet në Gjeorgji pas konfliktit me Rusinë. Gjendja kritike atje, për shkak se Rusia i shpalli luftë Gjeorgjisë, ka detyruar këtë këshill që të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme, e cila do të marrë në shqyrtim situatën e rëndë. Mbledhja e sotme në Bruksel është takimi i parë i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel ministrash të Jashtëm, në të cilin ftohen të marrin pjesë Shqipëria dhe Kroacia. Të dy këto vende u ftuan të anëtarësohen në NATO në Samitin e Bukureshtit, më 3 prill 2008. Më 9 korrik 2008 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilët i hapën rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Realizimi i reformave të gjithanshme të qeverisë së drejtuar nga z. Berisha bën që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në strukturën më të fuqishme ushtarake të botës, NATO. Pritet që në vitin që vjen, vendi ynë të bëhet anëtar me të drejta të plota, gjë që ka në thelb të saj përparimin e Shqipërisë dhe kryerjen me sukses të reformave.