Berisha, IFC: Durrës-Prishtinë, porta e Evropës Jugore
Kryeministri Sali Berisha u prezantoi dje përfaqësuesve të rinj të IFC-së interesin e lartë të investuesve të huaj privatë në zhvillimin e porteve aktuale dhe ndërtimin në vendin tonë të porteve të reja me kapacitete të fuqishme. Z. Berisha takoi zëvendëspresidentin për Evropën dhe rajonin e IFC-së, z.Jyrki Koskelo, të sapoemëruar në këtë detyrë. Kryeministri tha se rruga Durrës-Prishtinë që lidh korridorin e 10-të me shumicën e vendeve të Evropës Jugore dhe Qendrore dhe Ballkanit, ka sjellë si rezultat vënien në qendër, të daljes në det nga Shqipëria, nëpërmjet porteve. Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare ka ngritur grupin e vlerësimit të projekt-propozimeve të paraqitura nga kompani shumë të njohura ndërkombëtare dhe e vlerëson asistencën e IFC-së në këtë drejtim. Por qeveria shqiptare konsideron si objektiv kryesor transparencën totale për finalizimin e privatizimit të KESH-it në muajin shtator. Z. Berisha e falënderoi atë për ndihmën e çmuar që IFC-ja (International Finance Corporation) i ka dhënë qeverisë në shumë projekte. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha e falënderoi z. Koskelo për asistencën që IFC po jep në përgatitjen e procesit të privatizimit të shpërndarjes së KESH-it. Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare e konsideron IFC një partnere të suksesshme në zbatimin e reformave me rëndësi jetike për vendin. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha i shprehu z. Koskelo angazhimin e qeverisë për të vazhduar punën për ndërtimin e HEC-it të Ashtës të asistuar nga IFC.