E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama po mashtron edhe me pensionet

Partia Demokratike akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, për mashtrimet publike lidhur me reformën e qeverisë për pensionet. PD-ja reagoi në lidhje me deklaratën e kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, mbi politikën e pensioneve. Në reagimin e demokratëve thuhet se "sipas znj. Leskaj, pensionet sot qenkan 4.9% më të ulëta se në vitin kur ajo dorëzoi Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale". "Sot, - thuhet në deklaratën e PD-së, - çdo pensionistët në qytet nga 83.5 USD që merrte në vitin 2005, merr 111 USD, me kursin e këmbimit të vitit 2005, ndërsa çdo pensionist në fshat nga 34.000 lekë pension në 2005, merr 60.500 lekë pension në 2008, pra sot merr dyfishin".

Ministri Oketa, sot sërish në Gërdec

Brenda pak ditëve, ministri i Mbrojtjes shqiptare, Gazmend Oketa, shkon për herë të dytë në zonën e dëmtuar të Gërdecit. Pas vizitës së parë me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, ministri Oketa ka planifikuar sot një tjetër takim në këtë zonë. Këtë radhë bëhet fjalë për një “dhuratë” që dikasteri i tij do u bëjë banorëve të Gërdecit. Një pronë, që ka funksionuar si repart ushtarak, do të kalojë në pronësi të Bashkisë së Vorës. Ajo do të përdoret si shkollë për fëmijët e Gërdecit, pas dëmtimit që ajo pati nga shpërthimi i 15 marsit. Ministri Oketa do jetë vetë sot në këtë bashki për t’ua bërë të ditur drejtuesve të pushtetit lokal vendimin e marrë nga qeveria “Berisha” kohët e fundit, si ndihmë për fëmijët e Gërdecit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›