Hashim Thaçi zgjedh Shqipërinë për pushimet
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e verës. Së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij, Thaçi ndodhet aktualisht prej dhjetë ditësh në bregdetin e jugut. Politikani kosovar është parë duke marrë rreze dielli dhe duke pushuar në plazhin e Dhërmiut. Qytetarë të shumtë kanë ndier praninë e Kryeministrit kosovar në këtë plazh. Lideri i PDK-së në Kosovë, ka preferuar Shqipërinë për të kaluar ditët e pushimet. Ai ka zgjedhur Dhërmiun, të njëjtën zgjedhje që bën për fundjava edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Mësohet se Kryeministri kosovar po pushon me familjen në Dhërmi, ku ka prenotuar një vilë pranë detit në këtë zonë turistike. Thaçi nuk ka preferuar që të flasë për mediat në lidhje me pushimet e tij, duke dashur që ditët zyrtare të pushimit t’i kalojë në qetësi të plotë dhe larg zhurmës së përditshme politike në Kosovës. Viti 2008 konsiderohet nga më aktivët në karrierën politike te Hashim Thaçit. Ai fitoi zgjedhjet në Kosovë, u bë Kryeministër si dhe lexoi deklaratën e pavarësisë së shtetit më të ri të botës në shkurt të këtij viti. Më pas Kryeministri do të angazhohej me punën e përditshme dhe me problemet aktuale në Kosovë si ekonomia, njohja e Kosovës nga shtetet e botës si dhe hartimi i Kushtetutës. Të njëjtën zgjedhje ka bërë edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai ka preferuar bregdetin e Durrësit dhe atë të Golemit. Sejdiu pati edhe një takim informal me homologun shqiptar, Bamir Topi, në Durrës, ku pasdite shëtitën së bashku në qendër të qytetit si dhe përshëndetën qytetarët e shumtë. Në shëtitoren e qytetit, mjaft pushues kosovarë u takuan me Presidentin e tyre, i ciliu uroi pushime të mbara. Presidenti Sejdiu pyeti bashkëqytetarët e tij se si po i kalojnë pushimet në Shqipëri. Ata thanë se në Shqipëri situata ishte përmirësuar dhe vinin re ndryshim në infrastrukturën turistike. Të njëjtën gjë konfirmoi edhe Presidenti kosovar Sejdiu. Ai tha më tej se qyteti i Durrësit është më i zgjedhuri nga qytetarët kosovarë për të kaluar pushimet e verës, ndaj dhe ai personalisht me familjen e tij preferuan që t’i bashkëngjiten kësaj zgjedhjeje. Sejdiu tha më tej se çdo vit do t’i kalojë pushimet në Shqipëri, siç ka bërë edhe në vitet e kaluara. Ai dhe homologu shqiptar Topi vlerësuan potencialin e Shqipërisë në turizëm.