Berluskoni, Ramës: Bëji të fala Nanos, bëja patjetër
Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, nuk ka ikur nga Shqipëria pa lënë batutën e radhës, por objekt i thumbimit të tij këtë radhë ka qenë Edi Rama, lideri i Partisë Socialiste. Në drekën e shkruar nga Presidenti Bamir Topi, kreu i qeverisë italiane, duke takuar Ramën, është kujtuar për ish-kreun e PS-së dhe i ka thënë: “Bëji të fala Nanos, bëja patjetër”. E situatës së sikletshme ku mund të jetë gjendur Rama në ato momente i është shtuar dhe insistimi i Kryeministrit Berisha i cili duke vazhduar batutën e Berluskonit, i ka thënë Ramës: “Zbatoni porosinë e Berluskonit”. Lideri i qeverisë italiane ka pasur njohje të mëparshme me Nanon kur ai ishte Kryeministër, ndërkohë që të falat ka zgjedhur t’ia çojë me pasardhësin e tij, njëkohësisht dhe rival e kundërshtar i tij politik. Gjithashtu, Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, mundi dje të ulë në një tavolinë dhe ballë për ballë kreun e mazhorancës, Sali Berisha, dhe kryesocialistin Edi Rama. Pas takimit që kreu i shtetit shqiptar zhvilloi me Kryeministrin Berluskoni, z. Bamir Topi dha dje në Pallatin e Brigadave një drekë zyrtare për nder të Kryeministrit italian. Të pranishëm ishin kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, parlamentarë, anëtarë të kabinetit, drejtues të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. Rama ka ndërprerë konferencën e të majtës evropiane që zhvillohet në Madrid që të mos humbiste rastin për të drekuar dje me Kryeministrin italian, Silvio Berluskoni.