E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, doganat e taksat në grevë kundër shtrëngimit të rripit

Probleme në kufi për kundërshtinë e planit të Papandreut
Tregjet e aksioneve kanë pësuar humbje dje në Greqi, Portugali dhe Spanjë në lidhje me frikën e krijuar për problemet e mëdha që kanë me borxhet këto vende dhe me braktisjen e punës nga ana e zyrtarëve të doganave dhe të taksave të Greqisë në shenjë proteste për shkurtimet që pritet të bëjë qeveria. Këto shkurtime janë pjesë e planit për të ulur deficitin e lartë buxhetor. Greva 48-orëshe e doganave pritet që të krijojë probleme tek importet deri javën e ardhshme dhe kryesisht për sa i përket furnizimit me naftë. Linjat e makinave dhe kamionëve po formojnë tashmë një karvan, që sa vjen e bëhet më i gjatë, pasi punëtorët e doganës merren vetëm me ushqimet që mund të prishen dhe me produktet farmaceutike. Qeveria socialiste e Papandreut është në një presion të madh nga tregjet dhe qeveri të tjera të vendeve europiane për të ulur menjëherë shifrën e lartë të deficitit buxhetor, që aktualisht është 12.7%. Një dështim i Greqisë në këtë përpjekje do të ishte një shenjë e keqe për gjithë vendet që bëjnë pjesë në Eurozonë, por Greqia dhe EU kanë këmbëngulur që asgjë e keqe nuk do të ndodhë. Ndërkohë, dyshimet dhe luhatjet për financat greke kanë kapur tregjet që janë shumë të ndjeshme, si dhe Portugalinë e Spanjën, dy vende të tjera të Eurozonës që po përballen gjithashtu me problemet e deficitit. Tregjet janë të shqetësuara nga rezistenca që mund t’i bëhet planit të qeverisë. Në Portugali, qeveria socialiste në minorancë po përballet me një betejë me partitë e opozitës, që duan shtimin e disa zonave të shpenzimeve. Të gjitha partitë e opozitës po nxisin rritjen e sasisë së parave që duhet t’u shkojnë rajoneve të varfra të vendit dhe të gjitha së bashku ato mund t’ia arrijnë në votën e sotme parlamentare. Por qeveria paralajmëron për pasoja të pakëndshme nëse opozita do ta kalojë këtë ndryshim në Parlament. Në bursën e Londrës çmimi i aksioneve ra me 4%. Ministri spanjoll i Financave i përgënjeshtroi shqetësimet në lidhje me tronditjen e situatës në vendin e tij dhe kritikoi disa zyrtarë të Bashkimit Europian që situatën në Spanjë dhe në Portugali e paralelizonin me atë në Greqi. Sipas ministrit, nuk ka asnjë lloj të krahasuari mes Greqisë dhe këtyre vendeve. Aktualisht deficiti buxhetor i Spanjës është 11%, rreth 4 herë më i lartë se kufiri i lejuar në Eurozonë. Edhe në këtë vend qeveria ka njoftuar për zbatimin e një plani 4-vjeçar që do të ndihmojë në uljen e deficitit. Ndërkohë, për analistët financiarë të huaj, nëse vendet me probleme buxhetore do të kenë probleme dhe do të vendoset nga Brukseli për t’i shpëtuar, nuk dihet se nga ku do të dalin këto para. Kjo, sepse Gjermania duket se nuk ka asnjë dëshirë që të nxjerrë para. Në këto rrethana mbetet vetëm Fondi Monetar Ndërkombëtar. Zyrtarë të tij kanë bërë të ditur se nuk besojnë se situata do të përkeqësohet dhe se gjithsesi ata janë të gatshëm që ta ndihmojnë Greqinë. Zyrtarët e lartë grekë kanë deklaruar se vendi i tyre nuk ka nevojë për shpëtim financiar. Të martën Papandreu paraqiti planin e tij të ashpër, i cili konsideron ngritje pagesash, rritje taksash dhe rritje të moshës së daljes në pension. Por, ndërkaq, sindikatat që deri tani kanë qenë të heshtura, kanë nisur që të reagojnë në të gjithë vendin, duke sjellë çrregullime në shumë sektorë të rëndësishëm.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›