E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha nuk dorëzohet

Migjen Basha ka mohuar spekulimet e fundit se FIFA nuk do ta lejojë të luajë me Kombëtaren shqiptare. Mesfushori kosovar akoma nuk ka marrë përgjigje nga shtëpia botërore e futbollit, derisa ende nuk i ka humbur shpresat që ta veshë fanellën kuqezi.

Migjen Basha ende nuk i ka humbur shpresat që ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Ai ka mohuar spekulimet e fundit që kanë qarkulluar nëpër mediat italiane dhe ato shqiptare kinse FIFA nuk do ta lejojë të luajë me kuqezinjtë.

Mesfushori me prejardhje nga Kosova ka thënë se nuk e njeh menaxherin Sergio Gabarellon, i cili e ka dhënë këtë lajmë për të në media. “Nuk është e vërtetë ajo që është shkruar. Tjetërkush ka folur në emër tim. Ai nuk është menaxheri im”, ka thënë Basha për Express.

Anëtari i klubit të njohur italian Torino ka bërë të ditur se ende është në pritje të një përgjigjeje nga FIFA, nëse do ta lejojë ta veshë apo jo fanellën e Kombëtares shqiptare, të cilën e ka ëndërr.

“Kam folur me avokatin tim, që po merret me këtë punë dhe më ka thënë që duhet të pres ende për të marrë një përgjigje nga FIFA. Po ashtu kam biseduar edhe me trajnerin Gianni de Biasi, i cili ende po shpreson që të më ketë në dispozicion”, ka theksuar 24 vjeçari i cili është pajisur edhe me pasaportë shqiptare.

Që nga koha e ish-selektorit kroat Josip Kuze, mesfushori i Torinos ishte i gatshëm t’i bashkohej Shqipërisë, mirëpo FIFA ishte ajo që nuk e lejoi therandasin ta bëjë një gjë të tillë, pasi më herët kishte luajtur me ekipin U21 të Zvicrës.

Mirëpo, me iniciativën e selektorit të ri të Shqipërisë, Gianni de Biassi, Migjen Bashës sërish iu ngjallën shpresat se mund ta realizojë ëndrrën. Trajneri italian dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po mundohen ta bindin FIFA’n se 25-vjeçari ka të drejtë të luajë me ekipin kuqezi.

Nëse FIFA i jep sinjal pozitiv Bashës, ky i fundit pritet t’i bashkohet ekipit kuqezi qysh në fushatën eliminatore për kampionatin botëror ‘Brazili 2014’, që ka nisur në muajin shtator.

Nëse Basha i bashkohet Shqipërisë, atëherë numri i kosovarëve në Kombëtaren shqiptare do të rritet në dhjetë. Aktualisht në ekipin A të Shqipërisë luajnë: Samir Ujkani, Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Armend Dallku, Debatik Curri, Lorik Cana, Alban Meha, Burim Kukeli e Ahmed Jaznuzi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›