Drenica përgatit befasinë

Liderin e Superligës, Prishtinën, do ta pretë një udhëtim i vështirë në kuadër të xhiros së 15’të të Superligës. Bardhekaltrit do të jenë mysafirë të Drenicës në Skenderaj.
Ekipi kuqezi nuk di për fitore që nga xhiroja e parë, derisa është bërë ekspert i barazimeve duke i regjistruar në total 9 të tilla. Edhe pse janë të vetëdijshëm se nuk do ta kenë të lehtë përballë Prishtinës, drenicasit janë të bindur se ka ardhur koha e fitores.
“Kjo ndeshje është e rëndësishme për të dyja ekipet, Prishtina ta ruajë kreun, kurse ne t’i ikim fundit të tabelës. Kjo do të jetë një ndeshje e vështire për të dy skuadrat e veçanërisht për neve. Ne do të hyjmë në këtë takim ta thyejmë tabunë e barazimeve dhe të arrijmë fitore .Të gjithë lojtarët janë të motivuar për këtë takim dhe jam i bindur se do të shënojmë fitore”, ka thënë trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.
Në anën tjetër, edhe skuadra e Prishtinës synon që nga stadiumi ‘Bajram Aliu’ të del e pamposhtur dhe ta ruajë kreun e tabelës, të cilën e riktheu xhiron e kaluar pas fitores ndaj Lirisë dhe humbjes së rivalit Trepça ’89 nga Hajvalia.
“Qëllimi ynë të kthehemi të pamposhtur nga Drenica, duke e parë pozicionin e kuqezinjve. Por, nuk kemi nevojë të shqetësohemi as ne as Drenica, ngase ka edhe shumë ndeshje tjera për t’u zhvilluar. Por, për ne të shtunën është e rëndësishme mos të humbasim”, tha strategu prishtinas Afrim Tovërlani.
Pas 14’të xhirove të zhvilluara, Prishtina ka tubuar 29 pikë dhe zë vendin e parë në tabelë me dy pik më shumë sesa Trepça ’89, e cila është e dyta. Kurse Drenica gjendet në vendin e dhjetë me 12 pikë të tubuara.
Të shtunën do të luhet edhe ndeshja ndërmjet Hysit dhe Trepçës, derisa katër takimet tjera do të zhvillohen të dielën.
Superliga - Xhiroja e 15’të
E shtunë
Drenica – Prishtina
Hysi – Trepça
E diel
Drita – Ll. Kosova
Besa-Hajvalia
Liria - Vëllaznimi
Trepç 8 – Feronikeli
Të gjitha ndeshjet zhvillohen në orën 13:00