Biçikleta i çon në prokurori

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) tashmë ka konfirmuar se ka ngritur kallëzim penal ndaj njërës prej federatave sportive të Kosovës për keqpërdorim të mjeteve publike.
Lënda është deponuar në Prokurorinë e Shtetit dhe rasti tashmë është duke u hetuar. Mirëpo, njëherë përnjëherë askush nuk dëshiron të tregojë se për cilën federatë bëhet fjalë, me arsyetimin se mund të dëmtohet procesi i hetimeve.
Megjithatë, Gazeta Express nga burimet e saj, të afërta me zhvillimet, ka mësuar se bëhet fjalë për Federatën e Çiklizmit të Kosovës (FÇK). Por, për këtë nuk janë të sigurt krerët e kësaj federate.
“Unë si kryetar i FÇK-Së nuk jam i njoftuar zyrtarisht se jemi duke u hetuar, por jam njoftuar vetëm nga Departamenti i Sporteve i Kosovës”, tha për Express kryetari i kësaj FÇK-së, Avni Nuha.
Sipas burimeve të Express-it, FÇK dyshohet të ketë keqpërdorë paranë publike në vitin 2009. “Në vitin 2009, FÇK me një projekt pati kërkuar ndihmë nga Departamenti i Sporteve për blerjen e 4 biçikletave. Departamenti i Sporteve ia pati aprovuar projektin FÇK-së, duke ia dhënë paratë për blerjen e atyre biçikletave në vlerë prej rreth 4 mijë eurosh”, thotë burimi.
Me këtë rast, Departamenti i Sporteve tashmë ia ka pa sherrin FÇK-së. Kjo pasi për këtë rast, Prokuroria e Shtetit tashmë më shumë po e heton Departamentin e Sporteve sesa vetë FCK-në.
“Problemi është se FÇK-ja ato biçikleta i ka blerë nga firma private e kryetarit të saj, ngase prej tre ofertuesve, ajo ka qenë oferta më e lirë. Kjo ka bërë që tani më shumë sesa FÇK-ja të hetohet Departamenti i Sporteve për shkak se dyshohet që nuk e ka menaxhuar mirë atë situatë”, tha ky burim.
Në anën tjetër, edhe kryetari i FÇK-së pranon se ato biçikleta janë blerë në firmën e tij private. Megjithatë, ai thekson se kjo s’ka të bëjë asgjë me keqpërdorim të parasë publike apo me konflikt interesi.
“Andaj, unë jam i gatshëm të ballafaqohem me drejtësinë, kurdo që ftohem. Jam i bindur dhe ju garantoj se unë dhe federata ime, nga viti 2008, prej kur unë jam kryetar, nuk e kemi bërë asnjë shkelje, por kemi punuar shumë dhe ndershëm”, theksoi Nuha.
Ai beson se këtë rast dikush ia montoi prapa shpine. “Janë nja tri klube që i bëjnë paralelizëm FÇK-së. Ata i kanë shfrytëzuar lidhjet e tyre dhe kanë ndikuar që të ngrihet një kallëzim penal ndaj FÇK-së, por kjo do të bie në ujë, sepse besoj në pastërtinë tonë”, pohoi ai.
Ndërsa, edhe zyrtarë të Departamentit të Sporteve, në kushte anonimiteti, thonë se ky rast nuk do t’u japë hapësirë organeve të drejtësisë për t’i shpallur fajtorë. Edhe ata janë të bindur që kanë fakte të bollshme për ta argumentuar pastërtinë e tyre.