E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumentin e diktatorit nuk e rrëzoi era



Datat historike të një qyteti janë shumë, fletë libri me shumë vëllime. Disa prej tyre janë zverdhur nga koha, të tjerat qëndrojnë me bojë të patharë. Disa ngjarje të zakonshme kalojnë shpejt, por ka ngjarje që qyteti i ruan me një fanatizëm të pabesueshëm. Një ngjarje e tillë është edhe data e 20 shkurtit 1991. Ishte një ditë dimri, me një qiell të rënduar, ku retë davariteshin poshtë si për t’u përballur ngjarjeve që po trokisnin në Shqipëri. Verën e kaluar ishin shpërthyer ambasadat në Tiranë. Shqipëria kërkon të hapet me botën. Lindi e para parti pluraliste si forca e parë opozitare, Partia Demokratike. Në Tiranë, studentët e Universitetit filluan grevën për heqjen e emrit diktatorial. Edhe në Korçë, vullkani i ndezur me llavën që vlon po vjen në fundin e atij dimri të ftohtë. Djemtë e tij kishin guxuar të kalonin kufirin dhe ishin vrarë nga intrigat e Ramiz Alisë. Ishte një vrasje pas shpine, e pabesë. Edhe të vrarë, xhelatët i lidhnin me tela me gjemba dhe i hiqnin zvarrë nëpër fshatrat e kufirit për të krijuar terror psikologjik në popull. Kujtesa e Korçës dhemb. Se ishin djem të bukur, që dashuronin lirinë, Evropën. Korça i mbajti në supe djemtë e saj. Agjentët e sigurimit filmonin, hartonin lista të zeza. Në mëngjesin e 20 shkurtit, Korça u gdhi në grevë. Gjimnazistët dhe studentët braktisën shkollën. Ata ishin me studentët e Tiranës, ata nuk e duronin dot më emrin e diktatorit. Pa ndonjë urdhër partiak apo shkresë zyrtare në shkollën e mesme “Themistokli Gërmenji” u duk atë mëngjes një djalosh i pashëm, me veshje sportive, tepër i qeshur dhe ekspresiv në fytyrë. Djaloshi rrëmbeu mikrofonin dhe pa iu dridhur qerpiku, nga gardhi i policëve që rrethonin shkollën u foli kështu gjimnazistëve. “Vëllezër e motra! Sot është dita jonë. Partia Demokratike është me ju, mos ngurroni. Korçës do t’i kthehet nderi i Luftëtarit Kombëtar, nderi i patriotizmit. Ai të vendoset në vendin e tij. Përkohësisht, atë e ka dhunuar busti i diktatorit. Mjaft duruam që fëmijët tanë të quhen fëmijët e Enverit, pionerët e Enverit, bujqit e Enverit, uzinat e Universitetet e Enverit. Ne nuk lejojmë që edhe nënat tona të quhen prostitutat e Enverit”. Edhe sot, pas 18 vitesh, të dridhet trupi kur i kujton këto fjalë. Ishte pak i çmendur atë mëngjes guximi i atij djaloshi. Quhet Ilirjan Jano, një ndër të parët anëtarë të Partisë Demokratike. Kurse shefi i komisariatit iu afrua dhe i tha: “Ke për ta parë, do të ta presim gjuhën”. Në mesditë të po asaj dite qyteti ishte mbushur me policë. Flitej për kamera të fshehta. Për snajper të fshehur në tarracat e pallateve. Edhe pse nuk ishin zbrazur armë, ajri binte erë shkrumb. Qyteti ishte në pritje të ngjarjes së madhe. Ndërkohë, në kinoteatrin e qytetit vazhdonte konferenca e Partisë Demokratike. Në mbrëmjen e 20 shkurtit, jo vetëm ATSH, Radio Tirana, televizioni shqiptar, por edhe të gjitha agjencitë e huaja, madje duke ndërprerë edhe programet, dhanë kronikat e tyre për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë. Gjatë vazhdimit të konferencës së Partisë Demokratike në kinoteatrin “Andon Zako Çajupi” hynë pa ftuar dy burra. Ishin Ilirjan Jano, djaloshi që u pat folur gjimnazistëve, dhe Vaso Kaçi, që i dhanë fund protokollit të mbledhjes. Vaso Koçi ngjitet në tribunë dhe dha lajmin e gëzuar! Në Tiranë monumenti i diktatorit u rrëzua! Kaq duhej. U shpërthyen dyert e kinoteatrit. Salla mbeti bosh. Edhe pse ishte ftohtë, jashtë të kujtohej nata e Krishtlindjes, ringjallja e Jezu Krishtit të kryqëzuar. Qielli kumbonte nga thirrjet: “Do ta heqim apo jo? Po, po, po!”. Vallë, a kishte piktor ta skiconte atë pamje? A kishte kompozitor të hidhte në tinguj? A kishte poet ta përjetësonte në vargje? Po vdiste Diktatura. Makinat e blinduara kishin rrethuar monumentin. Kamerat e fshehta filmonin. Por, diktatori tashmë ishte i huaj aty në shesh. Policët me shkopinj, armë e skafandra, ndiheshin të pafuqishëm përballë urrejtjes së popullit. Dikush, me zë të lartë kërkon një kavo. Me dhjetëra vajza afroheshin duke u përleshur me policinë. Ishte vërtet një skenë prekëse. Vjen një djalosh trup madh, Naumaq Beluri, me një kavo të gjatë në dorë. Gardhi i policëve u ça. U ngjitën disa dhe i vunë lakun diktatorit. Diktatori shumë shpejt po hiqej zvarrë. E nesërmja u gdhi pa monumentin e diktatorit në sheshin e Korçës. Por, listat e zeza ishin përgatitur gjatë natës. Lista prangash, lista burgjesh. U tmerruan banorët e lagjes, kur policia arrestoi kryetarin e Shoqatës së Jetimëve, Mirash Zefi. Atë e mbytën në gjak. I thyen brinjët, e shpunë si kufomë në birucat e policisë. Se sa kohë humbi ndjenjat Mikel Nika askush nuk e di, kur i hoqën kanatieren bashkë me lëkurën e trupit, duke i thënë: Ju qenër na hoqët zvarrë babanë, këtu do të kalbeni! Thoma Rovi, një bojaxhi i njohur në Korçë, i ka ende të freskëta edhe sot njollat e gjakut që trupi i tij la në muret e burgut. Por, Thomai i tërboi policët edhe më keq kur me ironinë e tij të hollë dhe trimërinë që e karakterizon iu thoshte: “Mosni bre, se nesër do bëheni pishman kur të takohemi në kafe”. Domethënëse qenë fjalët e djaloshit të fuqishëm Arben Fezga, i cili iu tha policëve gjithë urrejtje: “Me shkopinjtë tuaj mund të bëni vija në trupin tim, por nuk e ngjallni dot Enver Hoxhën!”. Po kështu Vizhdan Kolaci edhe pse i mbytur në gjak thërriste: “Poshtë diktatura!”. Ishin 25 djem nga qyteti i Korçës dhe fshati Plasë kur u rrëzua monumenti i diktatorit, të cilët u rrahën egërsisht nga policët dhe prokurorët. U fyen me fjalë që nuk ka fjalor t’i pranojë.

Ata ishin : Thoma Rovi, Arben Fezga, Pandi Nika, Enver Muharemi, Mikel Nika, Andan Lifa, Mirash Zefi, Yllson Ylli, Profi Gjoka, Alfred Shuli, Vizhdan Kolaci, Spiro Beci, Spiro Jorgaqi, Rasim Kafazi, Enver Kyçyku, Llazi Andrea, Engjëllush Mullai, Petrika Zguro, Rapo Tinka, Demirali Demiri, Nikolin Mankalli, Fiqiri Kafexhiu, Gurali Palla, Niko Prifti.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›