E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha për vizat: Presim vendimmarrjen politike

Takimi Ministri i Brendshëm deklaron se i kemi plotësuar kërkesat

Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe tashmë do të bëhet vetëm verifikimi. Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në një takim me sekretaren e Shtetit të Francës për Tregtinë e Jashtme, znj. Anne-Marie Idrac. Gjithashtu në një takim me përfaqësuesen e Francës, Kryeministri Berisha u shpreh se mbështetja e Francës në përpjekjet për integrimin europian është e një rëndësie të veçantë. Në këto dy takime, Idrac u shpreh se marrëdhëniet politike janë shumë të mira. “Këtë e dëshmojnë edhe vizitat e dy ministrave francezë në Shqipëri në tre muajt e fundit, ajo e zotit Pierre Lellouche dhe vizita ime, me kërkesë të Presidentit Sarkozy. Ne kemi synim që të shtojmë, forcojmë dhe të nxisim investimet franceze në Shqipëri dhe vendosjen e ndërmarrjeve franceze këtu” deklaroi ajo. Më tej, ajo shprehu konsideratën për angazhimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime inkurajimi dhe të lirë për sipërmarrjen dhe biznesin. Në vizitën që ajo pati me ministrin e Brendshëm, në qendrën e personalizimit të të dhënave të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike, në përgjigje të interesimit të medias lidhur me misionin e ekspertëve të Komisionit Europian, që ndodhet aktualisht gjatë kësaj jave në vendin tonë, Basha shprehu bindjen se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat për heqjen e vizave dhe tashmë pritet vetëm verifikimi dhe vendimmarrja politike. Idrac, pasi u njoh me procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike dhe vizitoi ambientet e qendrës së kompanisë “Aleat”, theksoi se cilësia e lartë e pasaportave biometrike shqiptare përbën tashmë një kusht të plotësuar për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Kurse Basha deklaroi se në këtë proces, Shqipëria shënon ritmet më të larta në raport jo vetëm me vendet e Ballkanit, por me të gjithë vendet e zonës “Schengen”, çka sipas tij, përbën dhe një nga garancitë më të mëdha për përfundimin me sukses në një kohë sa më të shkurtër të procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›