“Mazhoranca, garanci për zbatimin e rekomandimeve të KiE, opozita të vijë menjëherë në parlament”

Kryeministri Berisha përshëndet deklaratën e delegacionit europarlamentar të Këshillit të Evropës
Menjëherë pas deklaratës së kreut të delegacionit të Këshillit të Evropës, Mevlut çavushoglu, kryeministri i vendit Sali Berisha i bëri thirrje opozitës që të dëgjojë apelin e ndërkombëtarëve dhe të rikthehet në parlament. Berisha garantoi presidentin, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se koalicioni qeveritar është dakord pikë për pikë me këtë deklaratë dhe ka bindjen se kjo deklaratë është një kontribut thelbësor në normalizimin e situatës aktuale të krijuar nga bojkoti i opozitës. “I bëj thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, i cili pati rastin gjatë këtyre ditëve të shohë vullnetin tim të qartë, të palëkundur, për kompromise, koncesionet e nevojshme, në mënyrë që opozita të zërë vendet në parlament. I bëj thirrje që ta mbështesë deklaratën e Komitetit Presidencial dhe të fillojë menjëherë, bashkërisht, jetësimin e saj në të gjitha pikat, të cilat janë me të vërtetë, do të thosha parime shumë solide për tërësinë e problemit”, tha kryeministri. Kreu i qeverisë i ofroi opozitës koncensionin e komisionit hetimor, ku ajo të ketë shumicën dërrmuese për të bërë çdo hetim për zgjedhjet, por, siç theksoi edhe kryeministri, nuk do ketë asnjë shkelje të vendimit të gjykatave apo qoftë edhe zgjidhje të situatës duke shkelur Kushtetutën. “Jam këtu për t’i adresuar një thirrje kreut të PS. Ashtu si thuhej në deklaratën e KiE, është edhe apeli im, opozita të hyjë në Kuvend. Garantoj edhe një herë se opozita do ketë shumicën në komisionin parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mund të bëjë çfarë do lloj hetimi, por shpreh edhe zotimin tim solemn për t’ju përmbajtur vendimeve të gjykatave”, u shpreh Berisha. Shefi i ekzekutivit shprehu edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj deklaratës konkluzive të KiE, për zgjidhjen e situatës. “Garantoj KiE se qeveria është dakord me deklaratën dhe ka bindjen se kjo deklaratë është kontribut thelbësor në normalizimin e situatës aktuale të krijuar nga bojkoti opozitës”, tha më tej, Berisha. Ndërkaq, delegacioni i Këshillit të Evropës, përmes një deklarate për mediat, i bën thirrje opozitës shqiptare që të rikthehet në Kuvend, jo vetëm për një ditë, por të qëndrojë aty për hir të reformave dhe rrugës së gjatë të Shqipërisë gjatë integrimit në strukturat evropiane. Deklarata e KiE-së vjen edhe në një moment kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, në kushtet kur pas 2 muajsh Komisioni Evropian pritet të marrë vendimin për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë, ndërsa në tetor të po këtij vitit Këshilli i Ministrave të BE, miraton statusin e Shqipërisë si vend kandidat. Deklarata e delegacionit nuk përmbante një pikë mjaft të rëndësishme që përbën edhe debatin kryesor mes maxhorancës dhe opozitës, se si do të zgjidhet çështja, e hapjes apo jo e kutive të votimit. Ka pasur një propozim nga ana e Këshillit të Evropës, të bërë dje, gjatë takimit që ju patët me delegacionin e Këshillit të Evropës dhe kryetarin e Partisë Socialiste që çështja të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe në Komisionin e Venecias. Me cilin argument e keni mbrojtur ju këtë variant dhe me cilin argument e ka kundërshtuar Edi Rama po këtë variant? Unë nuk do t’i lejoj vetes që të bëj komente mbi të gjitha debatet e brendshme, meqenëse aty rregulli ka qenë dhe mbetet, konfidencialiteti. Ajo që unë dua të shpreh, të theksoj këtu, vlerësimin tim për punën e bërë, vlerësimin tim për këtë deklaratë dhe të ftoj zotin Rama, i cili e pa qartë vullnetin tim dhe të mazhorancës, për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështje. Deklarata është shumë e kthjellët, është kristal e qartë. Ju i bëni thirrje Ramës që të pranojë deklaratën. Kjo do të thotë që Rama, nuk e ka pranuar deklaratën dhe nuk ka dhënë premtimin që do të hyjë në parlament brenda datës 4 mars? Unë nuk kam asnjë dijeni se Rama nuk do të pranojë deklaratën, përkundrazi. Por për t’ia lehtësuar zotit Rama rrugën e pranimit u shpreha i pari për deklaratën. Unë shpresoj se Rama do t’i përgjigjet. Unë jam i gatshëm që t’i përgjigjem me veprimet konkrete dhe pritet që Rama t’i përgjigjet me veprime konkrete. Unë pres, sigurisht dhe kjo është shumë e qartë këtu në deklaratë, ku thuhet, “u kërkon atyre pa vonim të mëtejshëm të jenë në parlament”. është kristal e qartë. Nga një deri në dhjetë sa besoni ju që do të hyjë opozita në parlament? Nuk më takon mua të bëj profetin, ju e keni vënë re, unë po merrem me deklaratën. Uroj edhe një herë që edhe Rama të shprehë të njëjtin vullnet siç e shpreha unë për këtë deklaratë dhe bashkërisht të fillojmë jo më datën 4, por që pasnesër jetësimin, materializimin e saj, në interesin më të mirë. Unë kam besim, kam shpresë se ky është një dokument që meriton mbështetje të plotë.
...