E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha pret ambasadoren e Francës: Mundësi investimi në Tiranë

TIRANË - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti sot në një takim ambasadoren e re të Francës në vendin tonë, Christine Moro.
Basha e informoi ambasadoren franceze për potencialin që ka Tirana si dhe për planet e Bashkisë për zhvillimin e qytetit, për krijimin e klimës së favorshme për investimet e huaja. Kryebashkiaku tha se biznesi francez është i ftuar të bëhet pjesë e zhvillimit të Tiranës.

Ambasadorja e Francës shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për projektet e Bashkisë. Gjithashtu, ajo u shpreh e gatshme për të informuar biznesin francez për mundësitë e shumta të investimit në Tiranë.

Ambasadorja Moro informoi zotin Basha se javën e ardhshme do të zhvillohet në Tiranë një konferencë ekonomike, ku do të marrin pjesë përfaqësues të kompanive të mëdha franceze në fusha si ajo e transportit, energjisë dhe ujit dhe shprehu interesin që përfaqësues të këtyre kompanive të takohen me drejtues të Bashkisë së Tiranës për t'u njohur më konkretisht me mundësitë që ofron Tirana për investimet e tyre.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›