E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshja, rikthim në epokën e matriarkatit?

TIRANE-Këmishë, kravatë, pantallona mbi bel, xhaketë dhe këpucë me lidhëse përpara. Me siguri jeni duke menduar se po flasim për veshjen e ndonjë mashkulli, por gaboheni. Tendenca më e fundit e modës "detyron" femrat të vishen në këtë mënyrë.

Në fakt kemi një rikthim të grave që vishen si burrat. Po përse seksi delikat është rikthyer me një veshje maskiliste? Shkëmbimi i roleve është vetëm një "lojë" argëtuese apo mund të shihet si një rimarrje e pushtetit nga ana e grave? Ndoshta për këtë të fundit, kjo veshje zgjidhet nga gra shumë të forta, tërheqëse dhe kurajoze, të afta për të thyer ekranet dhe për të vënë në diskutim klishe të shoqërisë. Për të marrë përgjigjet e duhura në lidhje me këtë dilemë kemi biseduar me psikologen Irsida Lalaj, e cila hedh dritë mbi këtë tendencë. Si fillim psikologia shpjegon se gratë dhe burrat vishen në mënyra të ndryshme në shumicën e shoqërive. Në disa vende, ky dallim mund të jetë minimal, në disa të tjera mund të jetë shumë i theksuar. Siç dihet, shton psikologia, moda e veshjes mund dhe faktikisht influencon lëvizshmërinë, sensin e lirisë dhe dinjitetin e njerëzve. Çdo person i caktuar vishet në mënyrën që atij apo asaj i pëlqen dhe në këtë mënyrë bën edhe prezantimin e vetes në shoqëri. Për sa i përket veshjes mashkullore në Shqipëri, Lalaj tregon se ajo po vjen gjithmonë e më shumë si një risi apo dukuri në ditët tona. Për psikologen kemi tre kategori të femrave që preferojnë veshjen mashkullore. Kategoria e parë janë ato që e përdorin këtë lloj veshjeje sepse ndihen mirë dhe komode. Grupi i dytë praktikon këtë stil për të treguar se dhe ato janë të forta po aq sa dhe meshkujt, duke mos lënë vend për diferencime gjinore. Ndërsa përqindja tjetër e femrave preferojnë veshjen mashkullore për të qenë koherente me tendencat më të fundit të modës.

Në përgjigje të pyetjes sonë se si e sheh këtë tendencë në Shqipëri, psikologia thotë se nuk mund te flasim për një ndarje me thikë, pasi disa femra shqiptare zgjedhin të jenë trendi por jo në stilin e tyre, ndërsa disa të tjera preferojnë të jenë rehat (komode). Ndërsa, për sa i përket shprehisë së personalitetit me anë të këtij stili veshjeje shumë femra zgjedhin të vishen kështu për të treguar se janë të forta ,për të treguar se ia dalin vetë mbanë pa pasur nevojën për ndihmën e një mashkulli. Kryesisht këto gra që futen në këtë lloj kategorie fshehin një anë mashkullore brenda tyre. Pra në një farë mënyre mund të konfirmojmë se kemi një rikthim të "pushtetit të femrës", e cila gjithmonë e më shumë është duke treguar se mund t'ia dalë edhe pa seksin mashkullor dhe pse jo, ta dominojë atë.
Por tendenca e modës për të cilën jemi duke folur, është venë re edhe tek shumë personazhe të njohur të skenës apo spektaklit shqiptar. Por si e sheh psikologia këtë fenomen? Irsida Lalaj thotë se duke prekur realitetin dhe duke folur me baza, është e dukshme se Hollywood-i i vipave të huaj është qendra e modës botërore. Si rrjedhojë vipat tanë shqiptarë për të qenë sa më në kohë me modën Hollywood-iane krijojnë veshje të stiluara të tipit mashkullor.

Përgjithësish për sytë e psikologes kjo veshje e personazheve publikë, zgjidhet për të treguar se dhe ato janë në një hap me modën por jo tamam në stilin e tyre. Por duke mos lënë pa përmendur se shumë personazhe femra, gjithashtu kanë dashur të shprehin një anë tjetër të fshehtë të karakterit të tyre, pikërisht atë të fortin, mashkullorin. Në fakt, duke pasur parasysh numrin e lartë të femrave që preferojnë këtë lloj veshjeje në ditët tona dhe duke marrë në konsideratë pohimet e psikologes mund të pranojmë se në thelb mund të flitet për një përmbysje të pushteteve: Nga patriarkati në matriarkat.

(da.bo/OlaMItre/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›