E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shtyrja e zgjedhjeve? Një turp

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i bëri thirrje dje PD-së dhe PS-së të mos sajojnë sebepe me qëllim prishjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Metës, dy partitë e mëdha kanë pasur katër vjet për t‘i zgjidhur problemet lidhur me pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Gjatë një konference për shtyp, Meta deklaroi se partia e drejtuar nga ai prej katër vitesh ka kërkuar të bëhet Kodi Zgjedhor me standarde evropiane dhe të zgjidhet edhe problemi i kartave. Duhet gjetur çdo zgjidhje këto ditë, tha Meta, që më 28 qershor qytetarët të shkojnë dhe të marrin pjesë në votime. "Nuk duhet të synojë asnjëra palë të sajojë sebepe për të prishur zgjedhjet dhe as Sali Berisha nuk duhet ta zgjasë dorën drejt qendrave të votimit më 28 qershor, sepse është nën një vëzhgim shumë të fortë ndërkombëtar dhe në rast se zgjat dorën do t‘i ngelen zgjedhjet në dorë, çka do të ishte shumë e rëndë për të, por edhe për vendin tonë", nënvizoi kryetari i LSI-së. Duke e vënë theksin te pajisja e shtetasve me karta identiteti si një hap i domosdoshëm për të realizuar zgjedhje sipas standardeve, kreu i LSI-së theksoi se ata kanë kërkuar që në janar që PD-ja dhe PS-ja të gjejnë një zgjidhje konsensuale për çështjen e kartave. "Nuk duhet të na turpërojnë që të shtyjmë zgjedhjet, apo t‘i dështojnë ato tani që jemi vend anëtar i NATO-s, sepse do të diskreditonim edhe NATO-n, si një aleancë që pranon vende të papërgatitura për demokraci dhe për zgjedhje të lira e të ndershme", theksoi Meta. Ai nënvizoi se duhet gjetur çdo zgjidhje për të realizuar standarde sa më të pranueshme më 28 qershor, sepse çdo shtyrje e datës së zgjedhjeve jo vetëm që do të ishte një diskreditim i Shqipërisë në planin ndërkombëtar, por mos të harrojmë që kriza ekonomike sa vjen dhe shtohet, për shkak të vendimeve të papërgjegjshme të Kryeministrit Berisha dhe do të kishim një krizë vërtet komplekse, e cila nuk do të ishte larg asaj të vitit ‘97. Prandaj, thekson Meta, çdo gjë duhet bërë brenda këtyre tri javëve. Më pas, kreu i LSI-së është ndalur te vlerat që mbart partia e tij, duke theksuar se është e vetmja parti e cila ka një program konkret dhe të prekshëm për shqiptarët. Meta u shpreh i gatshëm për ta mbrojtur konkretisht programin elektorat të LSI-së dhe këtë jo i vetëm, por në një debat televiziv, ku të jetë prezent edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe kryetari i PS-së, Edi Rama. "Jam i hapur përpara të gjitha mediave dhe në çdo kohë për të debatuar në mënyrë civile dhe me argumente si me kryetarin e Partisë Demokratike, Kryeministrin në largim Sali Berisha, ashtu edhe me kandidatin për Kryeministër nga PS-ja, Edi Rama, lidhur me programin qeverisës për vendin për katër vitet e ardhshme", tha Meta. Fushata elektorale ka dy ditë që ka nisur zyrtarisht, por në realitet përballjet mes Berishës e Ramës apo Metës mbeten ende larg. Deri më tani asnjë forcë politike nuk ka lënë të kuptohet se drejtuesit e partive kryesore do të kenë ndonjë përplasje televizive. E vetmja përplasje e tyre janë tubimet elektorale, ku si PD dhe PS bëjnë publike pjesë nga programi dhe akuzojnë kundërshtarët për paaftësi qeverisëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›