E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, Berishës: Nuk më duhet mandati i deputetit që të rri ulur

Sali Berishës i duhet mandati i deputetit, sepse nesër do jetë në opozitë. Ky ishte deklarimi i djeshëm i kreut socialist, Edi Rama, nga qyteti i Durrësit. Pas sulmeve të njëpasnjëshme të Kryeministrit Sali Berisha, që e ftoi t‘i dalë përballë në kryeqytet, Rama nuk kurseu ironitë. Kreu i opozitës tha se s‘ka nevojë për mandat, sepse s‘i duhet një i tillë që të rrijë ulur, po një mandat që të qëndrojë në këmbë për të kryer reforma. "Unë i them kryeplakut të politikës së vjetër se karrigia e deputetit mund t‘i duhet atij që do të jetë në opozitë, ndërsa mua nuk më duhet një mandat për të ndenjur ulur, po një mandat për të qenë në këmbë, në krye të transformimit të madh, në çdo qytet e fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit. Ku do të punoj bashkë me njerëzit për të realizuar programin që shkruam së bashku gjatë Dialogut me Shqipërinë, ku do të ndërtojmë së bashku Shqipërinë e re si gjithë Evropa", tha Rama. Në fjalën e tij para qytetarëve të Durrësit, Rama vuri në dukje se për të politika nuk është luftë për pushtet, as mundësi për t‘i gjetur vetes një karrige dhe as instrument për të përfituar duke thënë gjëra që nuk i bën e duke bërë gjëra që nuk thuhen. Rama bëri thirrje që ta votojnë Kryeministër më 28 qershor për t‘i dhënë fund qeverisjes së politikës së vjetër. "Prandaj, unë dua të jem Kryeministri juaj. Prandaj unë dua që bashkë me ju të sfidoj historinë e vjetër që një grusht politikanësh e shkruajnë prej 18 vjetësh sipas interesave të tyre dhe të hap një faqe të re, ku së bashku t‘i shkruajmë gjërat në katër vitet e ardhshme sipas interesit të madh të Shqipërisë, të së ardhmes tonë e të fëmijëve tanë pa dallim", nënvizoi kryetari i PS-së. Rama vuri në dukje se edhe 27 ditë e ndajnë Shqipërinë nga e ardhmja dhe e reja duke u ndarë përfundimisht nga e vjetra, nga sherret e një grushti politikanësh që më shumë kanë parë interesat e tyre sesa ato të të gjithë shqiptarëve. "Edhe 27 ditë mbeten nga ndarja me të shkuarën! Edhe 27 ditë për të inauguruar rrugën e politikës së re në qeverisje. Edhe 27 ditë për t‘u dhënë fëmijëve të varfër librat e shkollës falas, për t‘u dhënë mësuesve e mjekëve shtetin në krah, për t‘u dhënë sipërmarrësve lirinë që u mungon dhe piedestalin që u takon njësoj si artistëve e sportistëve", nënvizoi kryesocialisti. Gjatë fjalës së tij, Rama preku çështjen e legalizimeve, një fenomen mjaft i përhapur sidomos në qytete si Tirana apo Durrësi. "Edhe 27 ditë, tha ai, për t‘u dhënë rrethinave të Tiranës, Durrësit e të gjithë qyteteve të mëdha, të gjithë të ardhurve që jetojnë në mjerimin e zonave informale, politikën e re të integrimit urban që do të fillojë me realizimin e plotë të procesit të legalizimeve të shtëpive dhe me hapjen e një fondi të posaçëm për kanalizimet, ujësjellësit, çerdhet, kopshtet, shkollat. Kreu i PS-së ka nisur tashmë fushatën dhe pas prezantimit të kandidatëve në Fier, Vlorë e Durrës, ai pritet që të udhëtojë sot drejt Qarkut të Beratit ku do zhvillojë takime elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›