E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bushati", përplasje mes KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor

Qendra e numërimit të votave për zonën e Bushatit do të jetë në një ambient privat. Partia Socialiste ankimoi vendimin e mëparshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor. Kjo instancë shfuqizoi vendimin e KQZ-së duke kërkuar që grupi i numërimit të votave të zhvillojë procesin e tij në një ambient publik. Por më një tjetër vendim të KQZ, sërish u la që numërimi i votave do të bëhet në një ambient privat. Çështja e përcaktimit të një ambienti publik apo privat në Bushat ka shkaktuar debate mes shumicës dhe pakicës në KQZ, debate që u përvijuan edhe në mbledhjen e pasdites së djeshme.

Përfaqësuesi juridik i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, kërkoi që të zbatohen vendimet e Kolegjit Zgjedhor. "Vendimet e kolegjit vetëm zbatohen. Kolegji ka folur qartë. Nuk ka ambient privat për Bushatin", tha ai ndërsa përfaqësuesi i PD në KQZ, Njazi Kosovrasti, vuri në dukje se në këtë zonë nuk ka asnjë ambient publik që të përmbushë kushtet për të punuar grupi i numërimit të votave. Anëtari i KQZ-së, Artan Laze, tha se nuk janë përmbushur kriteret e kodit, 93 dhe 94. "Prefekti nuk ka detyrim ligjor të gjykojë. Një nga shkaqet e kundërshtimit ka qenë mospërmbushja e detyrimeve të prefektit. KQZ i ka dërguar perfektit listën e plotë. Cila është vështirësia që çdo prefekt të sjellë listën e plotë?. Pastaj nëse i përmbushin kushtet, duke parë dhe kriteret e nenit 94 e vendosim ne", tha Laze. Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, Hysen Osmanaj, vuri në dukje se në asnjë ligj nuk e cakton prefekti se cili duhet të jetë ambienti, ai sjell vetëm listën. Laze vijoi duke u shprehur se "Nuk kam gjë kundër objekteve private, por neni 93 i ka si rast përjashtimor objektet private. Dhe pika b thotë dhe jo në çdo ndërtesë publike. Nuk më vjen mirë që prapë vendimi të shkojë në kolegj".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›