E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pret raportuesit e Këshillit të Europës

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, priti dje në një takim raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. David Wilshire dhe z. Jaako Laakso. Ministri Basha informoi raportuesit në veçanti për progresin e arritur në përmbushjen e kritereve për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE. Sipas Bashës, sistemi i aplikimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, është i sigurt, nga më modernët në Europë dhe njëkohësisht ofron shpejtësinë optimale të shërbimit ndaj qytetarëve. Megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike nisi më 1 maj dhe pati një ndërprerje për shkak të angazhimit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet e qershorit, deri më tani numërohen 245 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 234 mijë prej të cilave janë prodhuar. "Ky fakt dëshmon se Shqipëria ka ritmin më të lartë të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike në rajon", u shpreh ministri Basha. Për sa i takon një kushti tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e vizave, që është siguria e kufijve, ministri Basha informoi raportuesit se është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar. Në këto pika është mundësuar lidhja e drejtpërdrejtë me bazën e të dhënave të Interpolit, e po kështu lidhja me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. Ndërkohë, po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin "one stop shop" që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj. Në të njëjtën mënyrë, në bazë të vendimit të qeverisë po punohet për funksionimin e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar. Gjatë takimit me raportuesit Wilshire dhe Laakso, ministri Basha informoi edhe për luftën e vazhdueshme me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›