Mbështesim liberalizimin e vizave për Ballkanin
Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian u takuan dy ditë më parë në Uashington. Ata ranë dakord të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët në kuadër të bashkëpunimit për temat me shqetësim dypalësh. "Mbështesim vendet e Europës Juglindore për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Mirëpresim zbatimin e reformave të nevojshme, duke përfshirë edhe plotësimin e kritereve në planin e liberalizimit të vizave mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor", thuhej në deklaratën e përbashkët. SHBA dhe BE thonë se mbeten të angazhuar për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës. "Jemi të shqetësuar për situatën aktuale politike dhe fuqimisht kërkojmë që liderët e saj të shfrytëzojnë rastin për të miratuar reformat e nevojshme për të përmbushur kushtet në drejtim të anëtarësimit në BE dhe planin e veprimit për anëtarësim në NATO. Ne mbetemi të angazhuar për një Kosovë të qëndrueshme dhe demokratike, të integruar dhe shumetnike dhe përgëzojmë sundimin e ligjit nga Misioni i BE-së (EULEX) dhe KFOR-it, dhe rolin e tyre në nxitjen e stabilitetit dhe sundimin e ligjit në Kosovë", theksohet në deklaratë. "Ne, udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, u takuam në Uashington për të rifilluar partneritetin tonë botëror, si dhe për të vendosur një kurs për rritjen e bashkëpunimit dypalësh që do të trajtojë, sfidat rajonale dhe globale të bazuara në vlerat tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë, respektit për të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit", thuhej në deklaratë. SHBA dhe BE thonë se qëllimi i tyre është që të sigurojnë një jetë më të mirë, të ardhme të shëndoshë dhe të sigurt për qytetarët e botës. "Ne do të ndërtojmë mbi të partneritetin tonë të fortë dhe të punojmë së bashku për forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Ne mirëpresim mundësinë për të zgjeruar punën tonë së bashku, veçanërisht në fushat e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë", vijon deklarata. Liderët e SHBA dhe BE thanë se mbështesin vendet e Europës Lindore në përpjekjen e tyre për të forcuar demokracinë dhe të ardhmen ekonomike.