E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cenimi i autonomisë, vendorët ankohen te KiE

Bashkia e Fierit dhe disa bashki të tjera të kategorisë së parë në shkallë vendi do t‘i drejtohen Komisionit Europian për të dorëzuar ankesën e tyre lidhur me cenimin e disa zërave të buxhetit nga qeveria. Lajmi konfirmohet nga kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, i cili në një prononcim për gazetën "Shqip" deklaroi se janë tre zëra kryesorë që vënë në pikëpyetje jo vetëm buxhetin për vitin e ardhshëm, por edhe një sërë projektesh që njësitë vendore kanë parashikuar apo miratuar. Sipas kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, mësohet se tri ditë më parë është zhvilluar në Tiranë takimi i Shoqatës së Kryetarëve të Bashkive. Qëllimi i takimit ka qenë diskutimi lidhur me vendimet e qeverisë për të kontrolluar disa zëra të buxheteve vendore. "Qeveria aktuale është shprehur se do të kontrollojë të ardhurat që sigurohen nga procesi i legalizimit. Ky zë të ardhurash për Bashkinë e Fierit do të thotë një masë prej 1/3 së buxhetit. Por, jo vetëm procesi i legalizimeve është synuar që të kontrollohet dhe të vilet nga qeveria, por edhe një pjesë e mirë e subjekteve të biznesit të vogël do t‘i kalojnë pikërisht pushtetit qendror", tha Zeqaj. Zëri i tretë me peshë në buxhetet vendore është pikërisht vetoja e qeverisë për vendosjen e nivelit të një sërë taksash vendore. Këta tre zëra përbëjnë edhe peshën kryesore të buxhetit për njësitë e qeverisjes vendore. Nisma që po ndërmerr qeveria përkthehet në një cenim të hapur të integritetit dhe qeverisjes vendore. "E ky cenim ka për autor qeverinë aktuale", u shpreh i indinjuar kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj. Cenimi i të tre zërave të sipërcituar, sipas kryebashkiakut të Fierit, përkthehet një marrje totalisht e të gjithë fondit për buxhetin e vitit 2010. Sipas Zeqajt, në rast se qeveria nuk shprehet kundër zbatimit të nismave për kontrollin dhe marrjen e kompetencave të pushtetit vendor, atëherë jo vetëm që buxhetet vendore në shkallë vendi nuk do të miratohen, por edhe mjaft projekte do të mbesin pa u realizuar dhe u implementuar. Nga cenimi i këtyre zërave të buxhetit, në Fier mbetet pa realizuar projekti i Gjanicës, ai i përfundimit të unazës, projekti i zgjerimit të urës në hyrje të qytetit, si edhe një numër i madh rikonstruksionesh në rrugë dytësore dhe të brendshme të lagjeve. M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›