E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha prezanton te studentët projektin “Tirana e 100 mijë studentëve”- nga viti i ardhshëm akademik do ofrohet për cdo student Karta Studentore e Bashkisë

05-04-2011 / Gazeta 55

Lulzim Basha, kandidat për kryebashkiak në Tiranë, bashkëbisedoi sot me studentët e dy universitetete në kryeqytet, Universitetit të Tiranës dhe atij UFO, për të paraqitur para tyre se çfarë mund të bëjë Bashkia për ta, si dhe për të dëgjuar sugjerimet e tyre për jetën akademike dhe infrastrukturën universitare dhe perspektivën e punësimit. Basha iu përgjigj pyetjeve të studentëve për perspektivën e tyre në punësim, infrastrukturën akademikë si dhe lehtësirat për ta. Lulzim Basha shpjegoi se si do të jetë marrëdhënia Bashki-student, në Tiranën e 100 mijë studentëve. Kandidati për kryebashkiak tha se pjesë e rëndësishme e projektit të tij është themelimi i kartës së studentit. Do të jetë një dokument që do t’i pajisë studentët me privilegje të ndryshme, siç funksionon në kryeqytetet e Europës. Në të parashikohen shërbime publike falas në disa raste, dhe përgjysmim çmimesh për raste të tjera. “Krijimi i ambienteve me një infrastrukturë, por edhe me një të ardhme moderne evropiane, është një domosdoshmëri për t’i dhënë çdo studenti në Tiranë lehtësitë e nevojshme për të studiuar, jetuar, dhe dhënë kontributin e tij apo të saj, për bashkëjetesën në këtë qytet. Krahas këtij angazhimi, dua të përsëris sot para jush, angazhimin tim si kryebashkiak i ardhshëm që brenda vitit të parë të çajmë tokën për të nisur punimet për bibliotekën qytetare, bashkiake të Tiranës. Një bibliotekë e cila, jo vetëm, do të sigurojë akses të plotë dhe të mjaftueshëm për të gjithë studentët e qytetit, por do ta bëjë këtë në parametrat modernë me akses në internet, dhe me një fond biblioteke të mjaftueshëm sufiçent, model, si dhe me ambiente të mjaftueshme për të mundësuar jetën tuaj si studentë. Si jetojnë studentët sot në Tiranë? Ku jetojnë ata? Sot janë pa frikë 10-12% e qytetit dhe nesër do të jenë rreth 15-18 % e qytetit. Gjithë kjo energji, gjithë kjo mundësi e jashtëzakonshme, për t’i shërbyer jetës së qytetit në çdo aspekt”, tha Basha. Një pikë e ndjeshme për studentët është çështja e punësimit. Shumë të rinj pajisen me diploma por e kanë të vështirë të gjejnë mundësi për ushtrimin e profesionit. Nga ana tjetër, Tirana ka shumë biznese që kanë nevojë për specialistë profesionistë dhe të shkolluar. Pra mungon një hallkë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës, dhe këtë rol sipas Bashës do ta luajë bashkia. “Po kështu ka dhjetëra, qindra, mijëra biznese për të cilët sot, në këtë moment që flasim kërkojnë punë të kualifikuar. Ka ikur koha kur tregut të punës t’i vazhdojnë t’i shërbejnë me metodat e vjetra, unë njoh dikë, mikun, shokun, xhaja, daja. Bashkia e Tiranës duhet dhe do të marrë  përgjithësi për të qenë porta kryesore e informacionit që do të facilitojë, do të lehtësojë komunikimin midis punëmarrësve dhe punëdhënësve nëpërmjet një sistemi modern informacioni të tregut të punës dhe kjo duhet dhe do të ketë përgjegjësi elementare, thelbësore e Bashkisë së Tiranës. Bashkia duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen tuaj, nga auditorët e universiteteve në tregun e punës, dhe kjo është kur ne marrim së bashku përgjegjësi”, u shpreh Basha. Por studentët kanë nevojat e tyre edhe gjatë jetës së tyre akademike. Lulzim Basha ka në planin e tij ndërtimin e shpejtë të një biblioteke universitare. Gjithashtu, studentët do të kenë akses falas në internet në çdo cep të Tiranës. “Më lejoni ta shpall dhe këtu edhe si një përgjigje ndaj kërkesës tuaj, por edhe si një realizim i një të mire që e kam prekur dhe shijuar vetë si student. Karta studentore bashkiake duhet t’i ofrojë studentit, dhe do t’i ofrojë studentit në Tiranë, të gjithë lehtësirat për ta bërë jetën e tij apo të saj, sa më të mirë, sa më komode, sot në kushte jo të favorshme dhe nesër në kushte dhe më të favorshme. Çfarë duhet të përmbajë kjo kartë: së pari, transport publik falas për të gjithë studentët e Tiranës dhe së dyti, tarifa falas apo të reduktuara për shërbimet komunitare që ofron bashkia dhe rrjetit të institucioneve të kryeqytetit. Dhe me këtë kam parasysh, pikë së pari dhe në radhë të parë, institucionet kulturore dhe argëtuese ekzistuese dhe që do të jenë së shpejti realitet i kësaj Tirane, që nga kinematë e munguara, tek teatri, opera dhe çdo institucion tjetër që duhet të jetë pjesë e jetës së çdo studenti të Tiranës. 100 bursa për studentët ekselent të Tiranës dhe 500 bursa për studentët në nevojë të Tiranës, do të jenë pjesë e pandarë e buxhetit bashkiak të Tiranës. Ne duhet të njohim ekselencën dhe ta shpërblejmë atë, si e vetmja rrugë për të identifikuar më të mirën rreth nesh dhe për të nxitur studentët, për të nxitur çdokënd që rend pas më së mirës”, tha Basha. Në takimet që pati me studentët, Lulzim Basha u kujtoi atyre se sa i rëndësishëm është arsimimi. Z.Basha solli këtu përvojën e tij personale duke thënë se asgjë nuk do të kishte arritur në jetë nëse nuk do të kishte studiuar. Në fund të takimeve, studentët plotësuan Kartën e Angazhimit ku ata shprehin pyetjet dhe sugjerimet e tyre për Lulzim Bashën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›