E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Elbasan: Rama shkoi te Partia e Punës – të përkrahim pa rezerva kandidatin e koalicionit, Durim Hushi

05-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga demokratët e Elbasanit të mbështesin kandidaturën e përbashkët të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për bashkinë e këtij qyteti, Durim Hushi. Kreu i qeverisë, duke u shprehur i sigurt në fitore, ka kërkuar mbi të gjitha respektimin korrekt të Kodit Zgjedhor, për të pasur një proces të ndershëm dhe transparent. Ai nuk ka lënë pa thumbuar edhe kryesocialistin Edi Rama, për aleancën politike që ky i fundit bëri me Partinë e Punës. “Unë kam besim të plotë tek ju, tek anëtarët, militantët, mbështetësit tanë se do ta shndërrojmë këtë periudhë në periudhën e punës më intensive, por edhe më të bukur që qyteti i Elbasanit ka njohur, në mënyrë që në datën 8 maj, ne të shkojmë të sigurt në fitoren që e meritojmë”, u shpreh Kryeministri.
Sipas tij, çdo demokrate e çdo demokrat, duhet ta ketë të qartë si kristali se PD-ja është sot shumicë në këtë vend, se PD-ja ia doli sot të heqë vizat për shqiptarët, se PD-ja ia doli të prokurojë dhe të nisë së shpejti tunelin Tiranë-Elbasan, se PD-ja ia doli të ndërmarrë qindra e qindra projekte të tjera vetëm e vetëm sepse ka një shumicë në parlament, të cilën e realizon në koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Aleanca për Qytetarin” hyn në këtë fushatë e sigurt në fitore, sepse ka një vizion të kristaltë për qytetarin. I pari është qytetari, të parët jeni ju, u drejtohemi ne qytetarëve. Përzgjedhja është e shkëlqyer. Ngado që ta vështrojmë këtë moto, është motoja më e goditur që duhet të na motivojë. Ne hyjmë në këtë fushatë të vendosur për të shpalosur fushatën më qytetare që kemi bërë ndonjëherë.
Në qoftë se themi ju jeni të parët, së pari janë vlerat e qytetarit. Ndaj të pandikuar aspak nga fushata e sharjeve, e shpifjeve, trillimeve e akuzave të krahut tjetër, ne vazhdojmë të shpalosim vlerat qytetare, vlerat pozitive, vazhdojmë të dëgjojmë, të mbajmë shënim, të diskutojmë çdo problem që ka qyteti apo komuna. Ne kemi faktuar se ne jemi qeveria e mundësive të mëdha. Besoj se këtë ia kemi bërë të qartë çdo shqiptari. Ne kemi ndërmarrë projektet më të mëdha të të gjitha kohërave. Unë ju garantoj se ne jemi të aftë të realizojmë çdo projekt, sepse ne performojmë”, u shpreh Kryeministri.
Ndërsa duke përmendur koalicionin rival të së majtës, ai pyeti publikisht se a mund të bëhet koalicion me Partinë e Punës?! “Vetëm Rama e bën. Përpara kishte alergji, tani mori ca emra dhe shkoi e ra tek Partia e Punës së Shqipërisë. Ta mbajë me shëndet. Koalicioni i së shkuarës”, tha Kryeministri.
Duke u ndalur në procesin zgjedhor, Kryeministri theksoi se zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, zbatimi me rigozoritet i ligjit, është synimi më kryesor. “Në këto zgjedhje duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha që të jenë zgjedhjet model. Zgjedhjet bëhen të lira e të ndershme, kur zbatohet ligji, ky është kushti themelor i tyre. Ndaj ta shndërrojmë këtë në fushatën më të bukur, ku të zbatojmë plotësisht ligjin, në një fushatë ku ta ketë të qartë çdo qytetar i Elbasanit që vota e tij do të numërohet me ndershmëri, që vota e tij do të jetë e barabartë me votën e gjithsecilit. Ky është synimi ynë më kryesor, zgjedhje të lira e të ndershme”, përfundoi Kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›