“Basha”, prokuroria do kërkojë rihapjen në themel të dosjes
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për rrëzimin e vendimeve të Gjykatës së Faktit dhe Apelit, Prokuroria e Përgjithshme do të kërkojë rihapjen në themel të dosjes ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Kjo u konfirmua dje nga një prej prokurorëve të çështjes. Sipas tij, në ditët në vijim organi i akuzës do të kërkojë rishikimin e vendimit të datës 10 prill dhënë nga Gjykata e Lartë, e cila mbylli dosjen hetimore për rrugën Durrës-Kukës. Ndërkohë, prokuroria mund të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese për vendimet e dhëna nga ana e Gjykatës së Faktit dhe Apelit, të cilat mbyllën dosjen penale ndaj Bashës, në shkelje të hapur të ligjit. Kjo, duke qenë se këto të fundit janë shprehur me vendim ndaj një personi me imunitet, gjë që mund ta bëjë vetëm Gjykata e Lartë.
Rihapja e dosjes
Kur dukej se dosja në ngarkim të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i akuzuar për shkelje dhe abuzime të rënda gjatë tenderit dhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, sidomos në aksin Rrëshen-Kalimash, ishte mbyllur përfundimisht, vendimi i së enjtes nga Gjykata e Lartë i ka hapur rrugën prokurorisë për të kërkuar rihapjen e dosjes. Kështu, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme në ditët në vijim do të kërkojë rihapjen në themel të dosjes hetimore Durrës-Kukës, në të cilën, përveç ish-ministrit të Transporteve, është i pandehur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma. Lajmi u konfirmua nga një prej prokurorëve që është marrë me hetimin e kësaj dosjeje, i cili tha se pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi vendimet e Gjykatës së Faktit dhe Apelit për mbylljen e dosjes ndaj Bashës, do të kërkohet rihapjen e kësaj dosjeje. Kjo, duke qenë se vendimi i kësaj gjykate konsiderohet si një fakt i ri nga ana e organit të akuzës dhe i jep mundësinë kësaj të fundit të kërkojë rishikimin e vendimit të datës 10 prill. Pas kësaj, një tjetër Kolegj Penal pritet që të shqyrtojë dosjen ndaj ministrit të Jashtëm në themel, pasi herën e parë Basha arriti që ta mbyllë procesin, duke qenë se gjykata i dha të drejtë duke i cilësuar procedurat e ndjekura për hetimin e tij si të parregullta. Ndërkohë, për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund, burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se organi i akuzës mund të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese. Prokuroria mund të ankohet në këtë gjykatë ndaj Gjykatës së Faktit dhe asaj të Apelit, të cilat në kundërshtim të hapur me ligjin, pasi nuk e kanë të drejtën për t’u shprehur ndaj personave me imunitet, vendosën që të mbyllin dosjen ndaj Lulzim Bashës. Pas shprehjes së Gjykatës Kushtetuese për këtë kërkesë, vendimi i saj mund të përdoret nga ana e prokurorisë për të vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë.
Rrëzimi i Faktit dhe Apelit
Gjykata e Lartë vendosi dy ditë më parë rrëzimin e vendimeve të Gjykatës së Faktit dhe asaj të Apelit, të cilat vendosën mbylljen e dosjes hetimore në ngarkim të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Këto të fundit, me argumentin e shkeljes së afateve hetimore nga ana e prokurorisë, kishin vendosur mbylljen e një prej dosjeve më të bujshme gjatë këtyre viteve të fundit. Sipas vendimit të dy ditëve më parë, Gjykata e Lartë është shprehur se Gjykata e Faktit dhe ajo e Apelit kanë shkelur Kushtetutën gjatë dhënies së vendimit për mbylljen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Transporteve, duke qenë se, sipas saj, ato nuk kanë pasur kompetencën për të marrë në shqyrtim një kërkesë nga ana e Bashës, ndaj të cilit nuk kishte nisur hetimi dhe i cili është person me imunitet. Në fakt, 20 ditë më parë edhe vetë Gjykata e Lartë, me relator gjyqtarin Spiro Spiro, ishte shprehur në favor të vendimeve të këtyre dy gjykatave, duke mbyllur dosjen në ngarkim të Bashës. Argumenti për këtë vendim ishte për shkelje të procedurave hetimore nga ana e organit të akuzës. Sipas gjykatës, marrja e ministrit Basha në cilësinë e të pandehurit dhe njoftimi i akuzës u bë jashtë afateve ligjore. Bashkë me ish-ministrin e Transporteve, i pandehur në këtë dosje ishte dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tender apo ankand publik”, duke i sjellë dëm shtetit shqiptar në një shifër rreth prej 230 milionë eurosh. Këto vepra penale janë konstatuar gjatë hetimit të përgatitjes së tenderimit dhe shpalljes fituese të firmës që po ndërton segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e financuar nga buxheti i shtetit. Prokuroria e Përgjithshme, më datë 5 dhjetor të 2008, vendosi të mbyllë fazën hetimore dhe të dorëzojë dosjen penale për gjykim pranë Gjykatës së Lartë ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, dhe ish-vartësin e ministrit, Andi Toma, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.