E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e telekomunikacioneve, peng i klientelizmit

Nga Shyqyri Meka, ish-anëtar i Këshillit Drejtues të ERT

- Bllokimi i privatizimit të Albtelekom përbën “thembrën e Akilit” për të mundësuar, jo vetëm zhvatjen e tij, por edhe për të çuar në kalendat greke implementimin e licencës së tretë celulare.

- Dhënia e licencës se katërt, në një kohë që operatori i tretë është ende i pakonsoliduar, shpjegon mungesën totale të interesit nga investitorë strategjikë, si dhe ofertën financiare të diskutueshme.

- Në mungesë totale të një strategjie zhvillimi, kryeministri përpiqet me përralla të bindë shqiptarët, se duhet “vëllai i vogël”, “qerosi”, që të ulen tarifat celulare në një treg të maturuar.

- Në asnjë raport deri më sot nuk është publikuar zbatimi i kushteve të përcaktuara në kontratën e shitjes së Albtelekom.

Një grup pune në Ministrinë e Transporteve “ngutet” të përgatitë draftin e politikës së zhvillimit të telekomunikacioneve. Por lajmi nuk bëhet publik, si një shtatzëni e padëshiruar. Dhe ka arsye. Në korrik 2005, në pikën IV të programit për tre muajt e parë të qeverisjes, PD shpallte publikisht se “do të rishikojë dokumentet bazë të strategjive sektoriale në të gjitha fushat dhe sektorët prioritarë”.

Në fakt, nevoja për një strategji të re të zhvillimit të telekomunikacioneve kishte lindur përtej rotacionit politik. Politika sektoriale e vitit 2000 ishte vjetruar, për shkak të “abortimeve” të objektivave në zbatim, disa ndryshimeve në dokumentin e saj, por edhe se zhvillimi i telekomunikacioneve në Evropë kishte vjetruar me shpejtësi teknologji, koncepte e praktika. Por edhe për një arsye tjetër, thjesht shqiptare. Sidomos nga fundi i vitit 2006, në telekomunikacione ishte shfaqur një praktikë shqetësuese, që në pjekurinë e saj do të njihej me emrin e “mikut të kryeministrit”, si dukuria “Fazlliç”. Disa operatorë të vegjël në treg, beniaminë të pushtetit të ri, kishin adoptuar zakonin e zogut të qyqes, që gjen strehë dhe ushqehet në folenë e botës. Ata nuk investonin, madje, ndonjë prej tyre nuk kishte asnjë përdorues në treg. Me marifetet që mundëson teknologjia, ata tjetërsonin thirrjet ndërkombëtare të Albtelekom në trafik kombëtar, duke përfituar diferencën e çmimit. Nëpërmjet kësaj loje, miliona minuta trafik (nënkupto, miliona lekë), janë zhvatur nga arka e Albtelekom. Sigurisht, me leje të drejtuesve të tij të rinj, që e trajtonin atë si çiflig.

Dëshmi për këtë është një raport, me numër protokolli 1030/1, datë 11.5.2006, nënshkruar nga z. Alibeaj, atëherë drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave. Aty jepen fakte dhe skema, si p.sh., operatori rural “Albania Online”, vetëm në muajin mars 2006 kishte tjetërsuar 723.191 minuta trafik ndërkombëtar të përdoruesve të Albtelekom. Sipas një përllogaritjeje, për çdo 100 mijë minuta nga ky trafik i tjetërsuar Albtelekom humbiste 879.600 lekë. Për të kuptuar përmasat e grabitjes së pronës publike, mjafton të theksojmë që kjo lojë ka vijuar nga gjysma e dytë e vitit 2005, në 2006, në 2007!

Si në dukurinë Fazlliç, aksionerët e këtij operatori bënin pará, jo duke xhiruar kapital në treg, por nëpërmjet influencave politike në nivel të lartë. Njëlloj si Fazlliç, ortakët e tij ishin “miq” të ministrit Basha. Të paktën, ky ministër zbuloi veten, kur me një akt të paprecedent i riktheu “Albania Online” licencën që i hoqi Këshilli Drejtues i ERT për sjellje flagrante në treg.

Por kjo dosje korrupsioni, së bashku me një raport inspektimi të ERT, as që u trajtua ndonjëherë nga drejtoria dhe Këshilli Mbikëqyrës i Albtelekom. Mos vallë drejtori i tij kishte lënë Amerikën për “avenirin” e Albtelekom? Përse, atëherë, kryetar i këtij Këshilli ishte një këshilltar i kryeministrit Berisha? Sepse, edhe këshilltar i drejtorit të Albtelekom ishte një i afërm i kryeministrit Berisha! Raporti i pafat, i vetmi që mund të ketë hetuar nga brenda një aferë korrupsioni, bëri xhiron e institucioneve të shtetit dhe mbeti i “virgjër” sot e kësaj dite. Kryeprokurori nuk pati rastin të “flejë” mbi këtë dosje. Djemtë e KOP, tashmë me shumicë rreth e rrotull Albtelekom, të sillnin ndërmend atë fabulën e këndesit, të cilit të zotët i kishin vajisur prapanicën.

Atëherë, për të shmangur deformimin e konkurrencës në treg, enti i telekomunikacioneve kërkoi ndryshime ligjore për licencimin e bartësve të trafikut ndërkombëtar. Shtroi, me këtë rast, edhe nevojën për një ligji të ri të telekomunikacioneve, së bashku me strategjinë e zhvillimit, si një detyrim të përcaktuar në MSA. Por, ndryshimet e pjesshme në ligj, që u realizuan në fund të vitit 2006, prekën vetëm liberalizimin e licencimit të zonave urbane. Askush në ministri, në qeveri, apo në parlament nuk përkrahu propozimet e entit. Të vegjlit e mëdhenj “lobuan” që situata të mbetej e turbullt, pasi kështu disa peshkonin, kurse shumica mbante iso.

Ishin këto interesa klienteliste arsyet e vërteta që vonuan edhe dy vjet privatizimin e Albtelekom. Që paralizuan investimin e licencës së tretë celulare, të miratuar në fillim të vitit 2004. Tre vjet me radhë Këshilli Drejtues i entit të telekomunikacioneve ka raportuar në parlament si kjo “hemorragji” i shkaktonte Albtelekom tkurrjen vit pas viti të të ardhurave me 10-15 për qind. Por, ministri Ruli përbetohej në forume publike për rritjen e performancës së tij. Komisioni përkatës i parlamentit nuk kërkoi, të paktën, një interpelancë për këtë çështje.

Po këto interesa çuan në kosh edhe raportin e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e monopoleve në telekomunikacione. I kapur nga klientelizmi, parlamenti i PD e përdori raportin konsensual “Ceka” (i vetmi i tillë në historinë e parlamentit shqiptar), jo për të luftuar monopolet, por për shkarkimin në bllok të këshillit drejtues të ERT. Kapitullimi ishte shembulli që dha parlamenti me komisionet e tij hetimore, që ka për t’u endur si hije mbi pavarësinë e institucioneve të tjera.

Në prag të privatizimit të Albtelecom, operatorë pranë pushtetit kërkonin hapjen pa kushte të rrjetit të tij lokal. Është e padëgjuar në historinë e telekomunikacioneve, por këtë “shqyerje” (nën vellon e liberalizimit) e kërkonin vetë drejtuesit e Albtelekom. Bëhej presion, gjithashtu, për licencimin e brezave të frekuencave WiMAX (3.5GHZ) me procedura pa konkurrim, që ERT të certifikonte import-eksportet e paligjshme të “Albania Online”. Presionet morën formë institucionale, kur ministrat Ruli dhe Olldashi, në një aleancë të hapur antiligjore, tentuan të shisnin për strategji sektoriale të ashtuquajturin “plani i masave për rregullimin e situatës në telekomunikacion”. ERT e bëri të qartë se nuk mund të zbatonte këtë “dietë të fortë”, me pasoja për zhvillimin afatgjatë të Albtelekom.

Në këtë situatë, një projekt me vlerë rreth 780.000 Euro synonte harmonizimin e kuadrit ligjor dhe rregullator të telekomunikacioneve me atë të Bashkimit Evropian. Në paketën e Komisionit Evropian ishte parashikuar të trajtoheshin paralelisht ligji për komunikimet elektronike, politika, si edhe procedurat rregullatore. Për ta sabotuar, Ministria e Transporteve nxitoi të hartojë me “forcat e veta”, duke refuzuar asistencën ndërkombëtare vetëm ligjin për komunikimet elektronike. Drafti i ligjit të ri përfundoi në dhjetor 2007, kurse për strategjinë e zhvillimit, e cila normalisht duhej t’i paraprinte hartimit të ligjit, nuk foli kush. Gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit të komunikimeve elektronike, në Departamentin e Strategjive (se ka një të tillë në ministrinë e linjës) duhet të jenë kujtuar për detyrimet që përmban ai. Eksperti i huaj, i angazhuar në hartimin e këtij drafti, duhet të jetë befasuar nga papërgjegjshmëria, me të cilën ekzekutivi shqiptar u është përgjigjur detyrimeve të MSA. Dhe, ja ku na serviret një strategji- testament që të kujton ato vargjet popullore: Në të dalë të janarit/ e shoqja e Çelo Picarit/ nisi t’i endte gunën djalit!

Si mund të hartohej një strategji zhvillimi, nga një qeveri që kishte paravendosur bllokimin sa më gjatë të privatizimit të Albtelekom? Nuk kemi dëgjuar të bëhet publike deri tani, jo vetëm kontrata e shitjes së Albtelekom, por edhe zbatimi i kushteve të përcaktuara në këtë kontratë. Bllokimi i privatizimit të Albtelekom përbën “thembrën e Akilit” për të mundësuar jo vetëm zhvatjen e Albtelekom, por edhe për të çuar në kalendat greke implementimin e licencës së tretë celulare. Ishte pikërisht kjo lëvizje në nivel të lartë që denatyroi në kohë dhe përmbajtje gjithë zhvillimin normal të telekomunikacioneve. Midis të tjerash, edhe dhënien e licencës së katërt celulare, e cila erdhi në një kohë kur licenca e tretë është ende e pakonsoliduar (të cilën tentuan edhe ta shfuqizojnë, si shprehje e një vullneti të palëkundur në luftën kundër monopoleve). Me këtë mund të shpjegohet mungesa totale e interesit nga investitore strategjikë, si dhe oferta financiare e diskutueshme. Në opinionin tim, qeveria nuk mund të fshihet duke u justifikuar pas rrethanave që i ka krijuar vetë, në vend që të mbajë përgjegjësi për to.

Nëse do të kishte pasur një strategji zhvillimi, licenca e katërt celulare do të ishte trajtuar në kohën e duhur, pas një analize të konkurrencës në treg. S’do të kishte pasur nevojë që kryeministri të rrente shqiptarët me përralla, se u dashkërka të vijë vëllai i vogël, “qerosi”, që të ulen tarifat celulare në një treg të maturuar. Një strategji zhvillimi do të orientonte më drejt edhe mbi mënyrën, ritmet, si dhe afatet e përafrimit të tarifave celulare drejt kostos, pa pasur nevojë të fshiheshin si struci për këtë çështje. Do të bëhej publike edhe mënyra e menaxhimit të teknologjive “pa tela”, licencimi i shërbimeve të gjeneratës së tretë apo objektivat për shërbimin universal, për të cilin ende nuk është filluar nga puna.

Pas katër vjetësh përgatitje me “artileri” të situatës, qeveria nuk mund të pengohej në aksionin e saj klientelist nga çfarëdo arsye ligjore apo ekonomike. Sidomos, kur e gjente veten të bunkerizuar pas interesave të biznesit vendas apo me taban patriotik. Këto të fundit, me sa duket, janë në modë dhe s’është çudi të dëgjojmë që edhe teoritë e tregut të lirë t’i përfshijnë në parimet e konkurrencës së ndershme, si një kontribut të drejtpërdrejtë në kohë krize financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›