E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri nis modën e peticioneve për listat e deputetëve te doktori

Nga Antena brenda familjes

Një letër tjetër ka mbërritur nga Kukësi. Banorët e komunës së Shishtavecit i kërkojnë kryeministrit Berisha që Flamuri të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Kukësit. Letra fillon me vlerësimin e punës së Flamurit dhe përfundon me

thirrjen se, nëse ai nuk kandidohet, komuna e Shishtavecit nuk do të dalë në zgjedhje.

Ja përmbajtja e letrës:

I dashtun zotni kryeministër. Na si komunë e Shishtavecit kemi pritë këtë fushatë elektorale me interes që të nxjerrë djalin tonë kandidat. Shumë herë na është premtu, por asiherë s’është bo. Këtë radhë ne shiqojmë se po na ofrohen kandidatura, të cilat ne nuk i dëshirojmë më. Sipas llafeve të ardhuna deri këtu, ne do të kemi sërish deputet Jemin Gjanën dhe një njeri me emrin Isuf, që s’po ia gjejmë dot mbiemnin. Kena pyetë mos ka kenë më parë me PD, na kanë thanë, jo, është pasë marrë me ndërtime me Edi Ramën në Tiranë. Paska goditë nga kufini me Vuthaj e paska ecë në Tirane. Na këtë gjë nuk e lejojmë ma. Na dum të kemi të parin në listë djalin tonë, Flamurin. Kena marrë masat për këtë punë e jena regjistru si fshat krejt nga dy herë, nji herë në Kukës e nji herë në komunë, në Shishtavec. Ene Flamuri na ka premtu karta nga ato që i keni veç për votime që nuk futen tek ai aparati që dëften të dhënat. Tash po marrim vesh se Flamuri nuk qenka te lista jonë.

Ne po e shkrujmë këtë letër pa folë me Flamurin, pasi ai është modest dhe nuk kërkon kurrë gjana vetë. Por ti e ke detyrim ndaj tij dhe ndaj nesh, me na e sjellë

deputet. Ose të parin, ose të dytin. Kjo situatë nuk na pëlqen, pasi kemi kaq vite që s’kena pas askënd aq të madh në Tiranë sa Flamurin.

Do vetë nga Tirana na kanë thanë mos me u nxitu me të shkru q’kët letër ty, por ne e bamë, se të besojmë e të dum ty. Ne e dimë që ti ke planet e tua të mëdha për Flamurin dhe mund ta vendosësh ene në Tiranë, por ne e duam këtu, pasi duam të kemi njeriun tonë në zonën tonë.

Me respekt,

Nderim Noka, Betim Noka, Lirim Noka, Shtrëngim Noka, Feim Noka, Neim Noka, Qerim Noka, Zaim Noka, Sollopet Noka, Mysybet Noka…. Lista e emrave vazhdon.

Flamuri ishte dje gjithë ditën në siklet, nëse kryeministri e mori letrën apo jo. Pyeste disa herë sekretaret e tij, ato s’i kthenin përgjigje. Pyeste nga protokolli, po ashtu. I dëshpëruar shkoi në kafe, se s’dinte ç’të bënte.

Aty gjen Ferdinand Ponin.

- Ore, di gjë ti, - i tha, - kur do mbyllen këto listat se na vdiqën?

- S’e di, - tha Poni. - Më ka thënë që më 14 maj në darkë t’i shkoj në zyrë, se do t’i firmosim.

- Shumë vonë, - tha Flamuri. - Se na çmendën dhe njerëzit, duan të dinë cilët janë në lista. Unë u them që s’dua të jem fare, po nuk besojnë. “Duam të shikojmë listën”, - thonë. Më çmendën, e kupton apo jo?

- E kuptoj, e kuptoj, - tha Poni. - Dhe mua po ashtu. Më thonë: “Ti firmos gjithë ato lista, si s’do ta kesh emrin?!” Po do ta kem mo, u them, do ta kem, po s’ka rëndësi a te fituesit, a tek ata që përdoren për të mbushur listën.

- Po të jetë për të mbushur listën, ti je për dy vetë, - tha Flamuri, - se zë vend shumë.

- Tallu ti tallu, po dhe unë kam presion, - tha Poni. -Se ka dalë dhe nami që ky doktori i ka shitur çamët te Greqia këtë radhë dhe më thonë gjithë çamët e mi: “S’ka për të të vënë ai ty, se nuk i do çamët.” Ua shpjegoj që ai i do shumë çamët dhe keni për të parë që do jem, po s’dëgjojnë. E kanë inatin me Leonard Demin. Se thonë që doktori na e shet atë gjithmonë për çam. Po ai nuk është puro çam, gjysmë është, unë jam tamam.

- Të drejtë ke, - i tha Flamuri. - Se më ka zënë dhe Paskuqanin ai. Aty më kërkojnë mua këtë radhë me ngulm. Më kërkojnë dhe ata në Kukës. Po unë s’i kam dhënë fjalën asnjërit. U kam thënë si të dojë ai burri. S’ia kam prish kurrë, pse t’ia prish këtë radhë.

- Dhe unë ashtu u kam thënë, - tha Poni, - por këmbëngulin shumë njerëzit. Nuk di pse më duan kaq shumë.

- Dhe mua, - tha Flamuri. - Madje ndonjëherë më duket se më duan më shumë njerëzit se ai burri. S’di ç’të bëj. Kam frikë se mos bëjnë ndonjë letër pa më pyetur mua tek ai burri dhe duket sikur i kam nxitur unë.

- Atë frikë kam dhe unë, - tha Poni. - Se nuk mbahen njerëzit.

Pasi Poni iku, Flamuri bëri një telefonatë prapë te sekretarja e atij burrit dhe e pyeti a ka ndonjë letër.

- Ka një tufë me letra, - tha. - Një nga Kukësi që ti të bëhesh deputet, një nga Berati që Poni të jetë i pari i listës, një nga Përmeti që Juelën ta kenë deputete të qytetit, një nga Borshi dhe Dhrovjani që Glori Husi të jetë i pari i listës së tyre, një nga Gjirokastra që kujton doktorin mos harrojë prapë këtë radhë Ylli Asllanin, një nga Rashbulli që thotë një nga motrat Vokshi të jetë deputete, dhe dy letra të forta, një nga Pogradeci dhe një nga Shkodra, që zihen se e kujt duhet të jetë Zana Guxholli. Këta të Pogradecit thonë “e kemi vajzën tonë dhe e duam ne”, këta të Shkodrës thonë “e kemi shpëtimtaren tonë, se ajo ka ideuar centralin atomik dhe e duam ne.” Ja të shohim si do reagojë doktori kur t’i lexojë, - i tha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›