E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama refuzon qeverisje me Ilir Metën dhe LSI

Nga L.Progni

Edi Rama deklaroi dje se Ilir Meta dhe LSI nuk do të jenë pjesë e koalicionit të PS. Ai tha se lista e kandidatëve për deputetë të PS do të bëhet publike në kohën e duhur, d.m.th., në ditën e fundit kur mbaron afati për dorëzimin në KQZ të listave. Ai nuk jep asnjë përgjigje konkrete për përfshirjen ose jo në listën e kandidatëve për deputetë të ish-kryetarit të PS, Fatos Nano, apo edhe të figurave të tjera të kësaj partie, që sot duken të distancuar nga kjo parti, si presidenti Mejdani apo deputeti dhe një prej ish-funksionarëve të lartë të qeverisjes së PS, Bashkim Fino. Në një intervistë në “Ora News”, Rama foli për zgjedhjet dhe programin qeverisës të PS në rast të fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit. E rëndësishme duket përgjigjja negative që kreu socialist i jep ofertës së LSI për të bashkëqeverisur. Ai tha dje si i vetmi koalicion që do të drejtojë PS është koalicioni aktual i deklaruar i saj me disa parti të majta, por theksoi se aleanca më e madhe e PS është me qytetarët shqiptarë, përtej së majtës dhe së djathtës. “Shfrytëzoj këtë mundësi që të komunikoj me teleshikuesit, që janë të interesuar për atë që ne do bëjmë dhe pse jemi ne ata që kemi alternativën më të mirë. Për të ndryshuar Shqipërinë na duhet të ndryshojmë politikën. Ndryshimi ka filluar nëpërmjet kësaj politike të re të PS. Duhet t’i japim fund një historie pazaresh dhe të hapim një histori të re realizimesh. Nuk është koha e një pazari të ri kryetarësh”, - tha dje Rama. I pyetur për udhëtimin nëpër Shqipëri dhe takimet me njerëzit Rama u shpreh se në këto takime kishte njohur varfërinë shqiptare reale. “Këto 18 muaj kanë ndryshuar shumëçka brenda meje në raport me politikën dhe në raport me sensin e misionit që kam marrë përsipër. Kam mundur të shoh nga afër varfërinë, ta prek papunësinë, ta ndjej forcën shtytëse të pamundësive që jetojnë njerëzit. Kjo i ka dhënë një përmasë të re politikës sonë në opozitë, dhe do t’i japë një përmasë të re qeverisjes sonë të së nesërmes”, - tha Rama. Për sa i përket mungesës së ish-figurave të rëndësishme të PS, Rama tha: “Nuk jam në pozitën që mban një regjistër mungesash, mund të them që në projektin tonë nuk mungon askush dhe projekti ynë është i hapur për të gjithë. Është i përbashkët me të gjithë qytetarët. Kemi në dorë një program të shkruar”, - tha Rama. Kryetari i PS u shpreh sërish për çështjen e ndryshimit të qëndrimit të tij sa i përket mendimin ndryshe në parti. I pyetur pse kishte ndryshuar mendim krahasuar me vitin 2003, kur ai kërkonte nëpërmjet një projekt-platforme të propozuar kongresit socialist të 2003 legalizimin e mendimit ndryshe në parti, Rama tha se kishte ndryshuar mendim dhe se tashmë kishte të njëjtin ndryshim me shumicën e atëhershme të PS së asaj kohe, e cila drejtohej nga Fatos Nano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›