PS: Ja pse nuk mund të ngrihet një central atomik në Shqipëri
Partia Socialiste përmes Sekretarit për Mjedisin, Besnik Bare, paraqiti arsyet se pse nuk mund të ndërtohet një central atomik në Shqipëri.
“Nisur nga sensibilitetet e opinionit publik, si dhe nga fakti se pas 28 qershorit do të jetë PS forca qeverisëse, pohojmë edhe njëherë se deklaratat e vazhdueshme të zotit Berisha që prej një viti se do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi energjitike përfshirë dhe atë atomike janë deliri i tij i radhës.
Ka shumë arsye që e bëjnë të pamundur ëndrrën nukleare të Berishës, meqë vendi ynë nuk ofron shumë kushte, ku do të veçonim:
Shqipëria shtrihet në atë brez të globit që ka sizmikë të lartë.
Shqipëria nuk ofron lëndë të parë për të qenë atraktiv, pra mineral uraniumi
Sot në Shqipëri s’ka burime njerëzore profesionale të kualifikuara për të menaxhuar impiante të tilla. Instituti i Fizikës Bërthamore falë edhe politikave të Berishës është drejt zhdukjes dhe degradimit të plotë pas ri-kompozimit që i bëri Akademisë së Shkencave.
Shqipëria nuk ofron burime financiare.
Shqipëria nuk ka konsensus politik dhe atë të publikut, jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë dhe së fundi nuk ka konsensus rajonal.
U themi shqiptarëve se pas 28 qershorit mbaron dhe epoka e marrëzirave, duke penguar mashtrimin e qytetarëve të këtij vendi, sikurse ndodhi me Vlorën, si dhe për të penguar kthimin e Shqipërisë në Gërdec të Evropës”, - tha Bare.