E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuha, shenjë e parë e identitetit

Nga Ali Podrimja

Deri vonë ishim të shurdhët se palët shpesh u morën me vetveten ose fshiheshin në xhepa të huaj. Dolëm pikepesë në metropole. Nuk mund të liroheshim nga ca norma qesharake. Diç me kultura e popuj të tjerë rreth nesh nuk ndodhi, se mbronim identitetin e tyre pa marrë parasysh në cilat shtete derdheshin. Megjithatë, nuk kanë munguar përpjekjet e individëve, por individi nuk e bën kombin; mund ta shpalosë një kënd të kujtesës historike apo të dëshmojë me guximin intelektual. Ai nuk mund ta zhvillojë propagandën çfarë mund ta bëjë shteti. Neve, fatkeqësisht, na mungon shteti i fortë. Çështje tjetër në komunikimet brendashqiptare që duhet të na shqetësojë, është çështja e gjuhës, tepër e ndjeshme për një popull. Nëse një vepër letrare nuk mund të kapet, del ndonjë puritan dhe gjen “kerefekte” të gjuha, pa u marrë me vlerat e veprës mbasi shtresimi i tekstit është i panjohur për të, i pakapshëm. Tirren dhe çështje të tjera që ka qenë dashur moti të mbesin në harresë. Mbështes poetin dhe estetin e shquar gjerman Encesberger, i cili gjuhën e konsideron dhe çështje politike. Është shenja e parë e një populli, se kemi të bëjmë me identitetin. Të një mendimi janë dhe linguistë eminentë. Gjuha është qenie thotë Hajdegeri, evulon vazhdimisht dhe pasurohet me idioma leksikore e nocione të ndryshme gjuhësore, pra nuk është çështje e mbyllur. Vite më parë nuk dinim se çfarë ndodhte në Shqipëri apo shumë nga tejdrinasit nuk dinin se ku bie Kosova ose frikësoheshin ta shqiptonin. Tani nuk dimë se çfarë ndodh në Shkup apo në Tetovë, se nuk ka lëvizje idesh, vlerash, mungojnë informacione, libri dhe shtypi në gjuhën shqipe konsiderohen të rrezikshëm, destabilizues. As në mileniumin e tretë fjala shqipe nuk e ka statusin e qytetarit të lirë, përplaset dhe kontrabandohet. Përballemi pra me murin e padukshëm të neodiktaturës. Shkak-pasojat mund të eliminohen nëse në të dy anët e Drinit si çështje të parë të ngrisim kombëtarën dhe ta avancojmë. Nuk përfaqësohet kultura, historia as etnia përmes copave. Shkaku i ndonjë koçebashi nuk bën të pajtohemi se libri kombëtar nuk na duhet dhe t’u lëmë hapësirë çfarëdo botimeve pse ashtu duan fisnorët. Padashje vijmë te krijimi i identiteteve brenda kombit. Po kjo është tragjike për një popull. Në të dy anët e Drinit, megjithatë, ka diçka që i mungon anës tjetër. Kjo mund të jetë dhe bukuria. Shileri thoshte: “Është e domosdoshme që njeriu ta zbulojë atë”. Toleranca më bëhet se na është diçka e veçantë në historinë tonë. Ta nëpërkëmbim këtë? Në bazë të besimeve e fiseve të krijojmë shqipëriza, një popull të copëtohet? Të mos harrojmë se gjuha është shenjë e parë e identitetit. Ai që luan me të, tallet me veten!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›