Një e çarë në gardh
Erich Honecker nuk mund ta kishte imagjinuar se ishin ditët e fundit të udhëheqjes së tij. Ishte 1 maj 1989 dhe sundimtari i moshuar i Republikës Demokratike gjermane qëndronte mbi një podium në Berlinin Lindor, përpara një deti ushtarësh dhe komunistësh të rinj që marshonin para tij. Dielli shndriste dhe një puhi e lehtë i përkëdhelte flokët e thinjur. Regjimet në të gjithë Evropën po mbanin përshëndetjen e përvitshme të marksizmit dhe madhështisë ushtarake. Por, një goditje do të vinte, që do të shembte përfundimisht përtokë perandorinë.
Në muajt e ardhshëm do të ketë gjithfarësoj përkujtimoresh për fundin e komunizmit, sidomos të shembjes së Murit të Berlinit në nëntor 1989. Për amerikanët ishte një moment i lavdishëm, emblematik për fitoren e Perëndimit në Luftën e Ftohtë. Por, nëse keni parë shpërbërjen e bllokut lindor që nga themeli, duhet të keni kuptuar se procesi ka qenë shumë më i gjatë dhe shumë më kompleks nga sa mund të kuptojë shumëkush. Shumica e historive moderne i kushtojnë shumë pak vëmendje komplotit të guximshëm që vuri në lëvizje të gjithë këtë proces dhe që më në fund do të rishkruante hartën e Evropës.
Teksa Honecker shijonte rrezet e diellit të ditës së majit, Miklos Nemeth bënte një udhë të gjatë e të mundimshme mes shiut 400 milje larg në Budapest. Duke iu përgjigjur pakënaqësisë në rritje, komunistët hungarezë në pushtet kishin anuluar paradën e tyre në favor të një Pikniku Popullor. Si kryeministër, Nemeth nuk kishte zgjedhje tjetër përveçse të merrte pjesë, qelbësi proverbial në një festë në lëndinë.
Ekonomisti reformator qëndronte në të ftohtin e hidhur dhe dëgjonte teksa bosi i Partisë Komuniste, një ish-daktilograf i quajtur Karoly Grosz, e qortonte për politikat e tij progresiste. Nemeth, thoshte Grosz, me një ton asgjësues, dëshironte ta dëmtonte vendin me demokraci dhe zgjedhje të lira, tregje të lirë dhe kapitalizëm gjithashtu. Groszi vetëm që nuk më pështyu, do të kujtonte më vonë Nemeth. "Kjo mund të jetë dita jote", i tha kryeministri shefit të partisë teksa rrugët e të dyve u ndanë. "Por, dita ime nuk është e largët".
Tha të vërtetën. Ditën tjetër, në 2 maj, Nemeth dhe qeveria e tij bënë të pamendueshmen: ata hapën një të çarë në Perden e Hekurt. Nemeth dhe reformatorë të tjerë në një mendje me të e kishin planifikuar prej muajsh, pothuajse që nga koha kur erdhën në detyrë në dhjetor 1988. Ditë më herët, ata kishin ftuar median ndërkombëtare në kufirin me Austrinë për "një ngjarje të veçantë". Dhe atje, teksa kamerat televizive regjistronin, ata deklaruan se gardhi elektrik që shkonte përgjatë të gjithë kufirit ishte një "anakronizëm". Ushtarë hungarezë, me gërshërë gjigante hapën një të çarë në gardhin me tela me gjemba që për katër dekada kishte ndarë Lindjen nga Perëndimi.
"Çfarë bëjnë ata hungarezët!", ulërinte Honecker në një mbledhje të Byrosë Politike në mëngjesin e ditës tjetër. Përgjigja ishte e qartë. Brenda disa javëve, gjermano-lindorët do të niseshin në udhëtime verore dhe Hungaria ishte një destinacion i preferuar. "Ekonomia e gulashit" e këtij vendi, një përzierje e planifikimit industrial marksist me një farë mase të sipërmarrjes së lirë, ofronte gjëra të padisponueshme pothuajse kudo tjetër në vendet e bllokut komunist: restorante të këndshëm, ushqim të bollshëm dhe verë të mirë. Për Honeckerin, lajmi ishte një ëndërr e keqe që vinte drejtpërdrejt nga viti 1961, viti kur u ndërtua Muri i Berlinit për të mos lejuar gjermano-lindorët që të largoheshin në drejtim të Perëndimit. Sulmi i Nemeth ndaj gardhit ishte një ftesë e hapur për gjermano-lindorët që të niseshin drejt jugut për "pushime" dhe më pas të shkonin drejt Perëndimit përmes kufirit të hapur të Hungarisë.
Dhe kjo ndodhi. Gjatë gjithë asaj vere, gjermano-lindorët u larguan nga vendi në një numër që vetëm rritej. Në qershor hungarezët riskenuan sërish hapjen e gardhit dhe këtë herë prerjen e telave e bënë në mënyrë ceremoniale ministrat e jashtëm të dy vendeve. Komplotuesit udhëtonin në fshehtësi nga Vjena dhe Boni, duke u konsultuar me kancelarin gjerman Helmut Kohl dhe të tjerët në lidhje me hapat që do të ndërmerreshin. Më 19 gusht pati një miting masiv të quajtur "Pikniku Panevropian", ku qindra turistë evropiano-lindorë u derdhën përmes një të çare të re të gardhit. Muajin tjetër hungarezët thjesht shembën dyert. Gazetat në të gjithë botën shkruanin: "Arratia e Madhe".
Njëzetë vjet më vonë mbetem shumë i mistifikuar. "Nuk e pamë kurrë që po afronte", rrëfenin shumë ekspertë. Dhe, megjithatë, shenjat kishin qenë aty që nga dita e majit dhe më para saj, ashtu si të kërciturat e një grushti dëbore përpara një orteku. Lufta e Ftohtë kishte zgjatur aq shumë, saqë ndryshimi dukej i pamundur. Po, më në fund lulja e lirisë shpërtheu.