E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha rikthen pas 20 vitesh Adem Jasharin në Tiranë

Berisha dhe Basha në ekspozitën Për të mos u harruar

“Për të mos u harruar”. Dje, në 14-vjetorin e masakrës së Prekazit, ku humbi jetën komandanti legjendar Adem Jashari e 56 anëtarë të tjerë të familjes Jashari, dhe në përkujtim të të gjithë atyre që u vranë e u masakruan në rreth 2 shekuj nga gjenocidi serb, Bashkia e Tiranës çeli ekspozitën përkujtimore për të mos harruar gjenocidin serb ndaj popullsisë shqiptare 1833-1999. Përmes dokumenteve të Arkivit Qendror të Shtetit, Arkivit të Kosovës, dokumenteve historike, dëshmive të gjalla e pamjeve filmike të ofruara nga RTSH, RTK dhe mediave të huaja që kanë ndjekur nga afër luftën e Kosovës, dëshmohet gjenocidi dhe masakrat serbe në Kosovë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ideator i kësaj ekspozite përkujtimore, ndërsa theksoi se çdo popull e ka një detyrim të thellë moral për të përkujtuar heronjtë e tij, u shpreh i nderuar që Tirana i bashkohet Prekazit, Raçakut, Krushës së Madhe e të Vogël, Gjakovës, Pejës, Prishtinës, Mitrovicës e shumë e shumë qyteteve e trojeve anë e mbanë Kosovës, që kujtojnë bijtë dhe bijat e tyre, që nderojnë heronjtë tanë që u vranë dhe u masakruan më shumë se dy shekuj në trojet e tyre. “Kjo ekspozitë është një kontribut modest i qytetit të Tiranës për të përkujtuar një nga pjesët më të vështira, por edhe më domethënëse të historisë së kombit tonë dhe për të dëshmuar se ne nuk do të harrojmë të shkuarën tonë mbi të cilën po ndërtojmë të ardhmen. Ndaj, më lejoni t’ju them që kjo ekspozitë është për ne vetëm një hap i vogël, vetëm një hap i parë”, tha Basha. Përfaqësuesi i familjes Jashari, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, Murat Jashari, falënderoi zotin Basha që pas 20 vitesh ktheu sërish në Tiranë Adem Jasharin dhe familjen e tij. “Dua ta falënderoj kryebashkiakun, z Lulzim Basha, për këtë iniciativë, sepse edhe njëherë pas pothuajse 20 vitesh, e ktheu prapë në Tiranë Adem Jasharin dhe familjen e tij. Gjyshi, ndjesë pastë, që ishte një ndër mësuesit e parë të Pasluftës së Dytë Botërore, thoshte se duhet ta dhamë të dhimbshmen për ta marrë të kajshmen. Më mirë të sakrifikohet një njeri dhe të shpëtojnë një familje dhe ma mirë të sakrifikohet një familje për të shpëtuar një komb të tërë”, tha Murat Jashari. Kryeministri Sali Berisha falënderoi zotin Basha për organizimin e kësaj ekspozite për të kujtuar kalvarin e vuajtjeve të shqiptarëve dhe për përzgjedhjen e kësaj dite të veçantë që përkujton edhe masakrën e Prekazit. Duke e konsideruar “Kruja e Prekazi si tempujt e lirisë sonë kombëtare”, Kryeministri Berisha shprehu domosdoshmërinë e ngritjes së një muzeu në Tiranë për gjenocidin kundër shqiptarëve. “Zoti kryetar, është e domosdoshme që Tirana, kryeqyteti i vendit, të ketë një muze të veçantë për kalvarin e shqiptarëve këto dy shekuj, sepse për ne, harresa do të ishte turpërim i madh, do të ishte e pafalshme! Tirana duhet të ketë një muze të gjenocidit kundër shqiptarëve, në mënyrë që brezat, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, të shohin se cilat ishin sakrificat e paraardhëse të tyre, cila është drita që i udhëheq ata drejt së ardhmes që meritojnë”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›