Basha rrëfehet: I detyrohem Zvicrës, por ndihem shqiptar
Të gjithë prisnin që të ishte mes të grumbulluarve të trajnerit Josip Kuzhe për miqësoren e 11 gushtit kundër Uzbekistanit në Durrës. Megjithatë, burokracitë në nxjerrjen e pasaportës shqiptare e kanë detyruar Migjen Bashën që të shtyjë debutimin me fanellën kuqezi. Edhe pse do të mungojë në këtë test, mesfushori që së fundmi është transferuar tek Atalanta në Serinë B, cilësohet si një element i rëndësishëm për eliminatoret e Euro 2012, por edhe për të ardhmen e Kombëtares.
“Në fushë jam i ashpër, kjo bën pjesë në karakterin tim. Megjithatë, asnjëherë nuk i kaloj kufijtë”. Që prej ndeshjeve të para përgatitore me skuadrën e tij të re, Atalantën, Basha ka shfaqur lojën e tij potente. Mesfushori me pasaportë zvicerane ka qenë si një “çekiç” në fushë për të gjithë kundërshtarët. Në fakt, 23-vjeçari do të quhet helvetik vetëm për pak kohë. “Afro dy muaj më parë kam dorëzuar dokumentet për t’u pajisur me pasaportën shqiptare, të cilën duhet ta marr në kohë për ndeshjet e para eliminatore të Europianit 2012. Kam lindur në Lozanë, jam aktivizuar për Zvicrën deri në përfaqësuesen U-21, por nëse do të më thërrasin, nuk kam asnjë dyshim që do të zgjidhja Kombëtaren shqiptare. Nuk e harroj origjinën time kosovare. Zvicrës i detyrohem shumë, ndoshta gjithçka, por ndihem më tepër i lidhur me Shqipërinë. Shkova në vendin tim (Suharekë) kur isha në moshë të vogël, për të mësuar gjuhën dhe për të kryer 2-3 vjet shkollën dhe u ktheva në Lozanë përpara se të niste lufta. Dogjën qytetin tim dhe më vranë xhaxhanë. Këto janë ngjarje që lënë shenjë në jetën e një njeriu dhe nuk mund të harrohen kurrë”, rrëfeu Basha. E kaluara ndikon në formimin e karakterit. Kjo vlen edhe për mesfushorin: “Në çdo gjë që kam bërë, babai më ka thënë që gjithmonë duhej të fitoja respektin e të tjerëve dhe të mos dorëzohesha asnjëherë. Megjithatë, pa e ekzagjeruar. I tillë jam edhe kur luaj: nuk kam frikë të futem në duele apo të ndërhyj për topin, megjithatë asnjëherë nuk synoj të dëmtoj kundërshtarët. Gjatë dy sezoneve të mëparshme te Rimini dhe Frozinone jam ndëshkuar me 25 kartonë të verdhë, por asnjëherë nuk kam dalë nga fusha me kartonin e kuq”.
Pavarësisht lojës relativisht të ashpër, Basha nuk është thjesht një “shkatërrues”. Ai është një mesfushor modern, që në cilësitë e tij të lojës di të godasë, por edhe të shfaqet përpara portës: “Karrierën e nisa si sulmues kryesor. Më pas, trajnerët filluan të më aktivizonin më mbrapa: si sulmues të dytë, sulmues krahu, organizator dhe tashmë jam një mesfushor i mirëfilltë”. Një lojtar që Shqipërisë do t’i vlejë shumë për të ardhmen.
#