E Diel, 1 Nëntor 2026

FFK: Nuk ndërhyjmë për lojtarët kuqezi

Vendimi Federata kosovare nuk do të hapë negociata me homologen shqiptare për futbollistët e Kombëtares

Largimi i mundshëm i lojtarëve kosovarë që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare ka qenë një temë e “nxehtë” në ambientet e futbollit shqiptar. Frika u shtua edhe më tepër me pavarësinë e Kosovës dhe pritjen e njohjes nga OKB-ja, në mënyrë që më pas FIFA dhe UEFA të pranojnë si anëtare Federatën Kosovare të Futbollit (FFK). Menjëherë pas përfshirjes në federatën botërore dhe atë europiane, automatikisht Kosova do të ketë përfaqësuesen e saj. Megjithatë, drejtuesit e FFK-së bënë të ditur se nuk kanë ndërmend të nisin negociata me homologët e tyre shqiptarë (FSHF), që futbollistët kosovarë të mos grumbullohen më në përfaqësuesen kuqezi, në mënyrë që në të ardhmen e afërt ata të jenë në dispozicion të Kombëtares kosovare. Krerët e institucionit që drejton futbollin në Kosovë bënë të ditur se vendimi për të zgjedhur përfaqësuesen me të cilën do të luajnë do t’i takojë vetëm lojtarëve. “Nuk do të bëjmë asnjë marrëveshjeje me FSHF-në që lojtarët tanë të mos grumbullohen më në Kombëtaren e Shqipërisë, pasi aktivizimin për Shqipërinë apo Kosovën do ta vendosë vetë lojtari. Ne nuk do të mund ta ndalin një lojtar, nëse ai bën zgjedhjen e tij, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, për ‘Koha Ditore’. Dëshira jonë është që t’i kemi të gjithë talentet kosovare në përfaqësuese, por nuk kemi çfarë të bëjmë në rast se është vetë futbollisti ai që zgjedh të veshë fanellën e Shqipërisë”. Me afrimin e mundshëm të Migjen Bashës, numri i kosovarëve në përfaqësuesen shqiptare do të shkojë në tetë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›