Basha shet shtëpinë në plazh dhe blen një tjetër
Ndryshimi i vetëm i pasurisë së familjes së ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha gjatë vitit 2008 është shitja e një apartamenti në bregdet dhe blerja e një tjetri. Në deklaratën mbi pasurinë të dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ministri Basha për vitin 2008 ka përfituar të ardhura nga paga neto si titullar i Ministrisë së Punëve të Jashtme rreth 1.6 milionë lekë. Këtyre të ardhurave u shtohet edhe një shpërblim prej 21 mijë lekësh nga shpërblimi i fundvitit si ministër i Punëve të Jashtme. Në total ai ka përfituar rreth 1.61 milionë lekë pagë neto dhe shpërblim.
Ndërkohë të ardhurat nga bashkëshortja kanë qenë më të mëdha për shkak të angazhimit të saj në një program në Holandë. Si drejtoreshë Programesh në Fondacionin EËPP në Amsterdam të Holandës për një vit ajo ka siguruar të ardhura nga paga që arrijnë në 29.753 euro. Ndërkohë gjatë vitit 2008 bashkëshortja e ministrit në deklaratën e saj të pasurisë njofton shitjen e një apartamenti në Golem të Durrësit, të cilin e zotëron 100 për qind për një vlerë prej 45 mijë eurosh. Ndërkohë që ka paguar një pjesë për blerjen e një apartamenti në Qerret të Kavajës. Shuma e paguar arrin në 40 mijë euro dhe ajo zotëron 50 për qind të tij.