E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli blen shtëpi në plazhin e Shëngjinit

Të ardhurat familjare të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli së bashku me bashkëshortin për vitin 2008 arrijnë në rreth 43 milionë lekë dhe 12 mijë euro. Por këto të ardhura janë siguruar nga paga dhe dietat e zonjës Topalli, të ardhurat nga biznesi i bashkëshortit dhe ato të siguruara nga qiratë, të cilat janë pronë e tij. Sipas deklarimit zyrtar të pasurisë të kryeparlamentares që ka shëtitur pothuajse të gjithë botën me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nën logon e Parlamentit, ka bërë vetëm disa shpenzime modeste.


Të ardhurat nga paga neto për vitin 2008, si kryetare e Kuvendit arrijnë në rreth 2.2 milionë lekë. Zonja Topalli ka përfituar rreth 1.1 milionë lekë gjatë vitit të shkuar dieta e shpërblime. Në total të ardhurat si kryetare e Kuvendit kanë qenë 3.3 milionë lekë. Ndërkohë të ardhurat nga qiratë, të cilat janë në emër të bashkëshortit arrijnë në 12 mijë euro. Të ardhurat e bashkëshortit nga puna në biznesin e vogël dhe nga zyra e noterisë për vitin 2008 janë 1 milionë lekë.

Si çdo vit kryetarja e Kuvendit ka paguar nga paga e saj, një milion lekë për studimet e larta për të bijën në Strasburg të Francës. Gjithashtu në deklaratën e pasurisë së saj dorëzuar në ILKPD ajo ka deklaruar blerjen e një apartamenti 77 metra katrorë në Shëngjin. Ky apartament ka kushtuar 3.2 milionë lekë. Nga këto 2.3 milionë lekë i ka paguar nga paga e vet të përfituar si kryetare e Kuvendit dhe një milionë lekë nga të ardhurat e bashkëshortit. Kështu të gjithë të ardhurat e përfituara në punë ajo i ka çuar për studimet e të bijës dhe blerjen e një apartamenti në bregdet. Zonja Topalli ka preferuar të mbajë një shumë parash në shtëpi, duke i preferuar t'i tërheqë nga banka. Në deklaratën e dorëzuar në Inspektorat ajo njofton se ka tërhequr nga depozita në bankë 1 milionë lekë, të cilat i ka deklaruar si gjendje në shtëpi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›