E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dasmorët e helmuar: Të ndëshkohen fajtorët

HELMIMI/ Një nga pacientet shprehet se edhe tri ditë pas qëndrimit në spital vijojnë të kenë probleme me shëndetin

Mësohet se disa prej dasmorëve janë shtruar në spitalin e Janinës, ndërsa krushqit përfunduan në spitalin e Fierit

VLORË - Pasi kanë kaluar një situatë të pazakontë, nga dasma në gjendje të rëndë në repartet e infektivit të Vlorës, persona që janë ende të shtruar në repartet e infektivit shprehen se duhet të merren masa për sigurinë ushqimore. Leke Pazaj, një nga dasmoret që prej tri ditësh është e shtruar në një nga dhomat e infektivit thotë se nuk është diçka kalimtare kjo që iu ndodhi. "Falë shërbimit të mjekëve ne sot jemi gjallë, po nga helmimi mund të na ndodhte dhe më e keqja. Këto helmime shkojnë direkt në gjak. Kemi tri ditë që nuk po marrim dot veten dhe nuk e dimë ende se sa do të rrimë në spital, - thotë ajo. - Duhet të ketë masa të rrepta për të gjithë ata që për qëllime fitimi, bëjnë pazare me ushqimin e njerëzve".

Një nga të afërmet e dhëndrit pohon se u paguan aq sa dëshironin pronarët e lokalit dhe nuk është e drejtë që tani të kenë pasoja njerëzit që ishin atje. "Kemi frikë kur na thonë se duhet të vijojmë të jemi të kujdesshëm, pasi mund të jetë ndonjë mikrob dhe mund t'ua transmetojmë të afërmve kur të shkojmë në shtëpi". Teksa i pyet për rastet, dasmorët pohojnë se janë shumë raste në Fier, në Tiranë, por edhe pjesëtarë të tjerë të dasmës që kishin ardhur nga Greqia dhe kanë udhëtuar për t'u rikthyer drejt saj, kanë mbajtur frymën në spitalin e Janinës. "Edhe krushqit janë shtruar në Fier", pohon një nga dasmoret.

Por ndërsa vetë dasmorët hedhin dyshimet tek prodhimet e mishit apo tek pastat e akullit, përfaqësues të institucioneve të shëndetësorit në Vlorë pohojnë se bëhet fjalë për helmim dhe për këtë janë kryer të gjitha analizat. Janë marrë mostra të produkteve të konsumuara, janë marrë mostra nga vetë të shtruarit, por edhe nga punonjësit që kanë shërbyer në lokal. Shefi i epidemiologjisë në drejtorinë e shëndetit publik të Vlorës, Agron Bashllari, tha se ende nuk ka përgjigje përfundimtare të analizave, por gjithçka është ndikuar nga një intoksikacion me origjinë produkte shtazore.

Analiza të tilla janë bërë edhe nga Instituti i Përgjithshëm i Shëndetit Publik. Aktualisht, si masë e parë është urdhëruar mbyllja e lokalit deri në sqarim të gjithë situatës. Sipas të dhënave që jep Drejtoria e Shëndetit Publik të Vlorës, të shtruar në repartet e infektivit kanë qenë 19 persona dhe kanë marrë ndihmë në ambientet spitalore të Vlorës 30 vetë. Fillimisht janë paraqitur të hënën katër rastet e para dhe pastaj numri ka ardhur në rritje. Dasma e të dielës kishte mbledhur së bashku 170 persona, ku të prekurit pas dasmës, kanë kërkuar ndihmë jo vetëm në Vlorë, por edhe në rrethe të tjera, si dhe në Greqi.


Somario: Si masë e parë është urdhëruar mbyllja e lokalit deri në sqarim të gjithë situatës. Sipas të dhënave, të shtruar në repartet e infektivit kanë qenë 19 persona dhe kanë marrë ndihmë në ambientet spitalore të Vlorës 30 vetë. Dasma e të dielës kishte mbledhur së bashku 170 persona, ku të prekurit pas dasmës, kanë kërkuar ndihmë jo vetëm në Vlorë, por edhe në rrethe të tjera, si dhe në Greqi
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›