Basha siguron ndërtuesit: Jo më trajtim klientelist nga Bashkia
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premtoi dje reduktim të kohës së dhënies së lejeve të ndërtimit, heqje të burokracive, rritje të investimeve dhe hapjen e 10 mijë vendeve të punës brenda mandatit të parë
TIRANË Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, zhvilloi dje një sërë takimesh duke premtuar rritje të investimeve në infrastrukturë dhe hapje të vendeve të reja të punës. Në një takim me shoqatën e ndërtuesve, Basha
ka garantuar se do t’i jepet fund trajtimit klientelist nga Bashkia dhe se të gjithë do të gjejnë hapësirat që meritojnë. Krahas përfundimit të planit urbanistik në një vit, Basha premtoi reduktim të kohës së dhënies së lejeve të ndërtimit në 30 ditë dhe heqje të burokracive. “Jo më vonë se maji i vitit 2012, plani urbanistik do të jetë i zbatueshëm. Që nga ky moment, jo më shumë se 30 ditë, me mbi 80% e procedurës, me kontakt minimal me autoritetin Bashkiak, me procedurë automatike, ju do të jeni në gjendje të aplikoni dhe të merrni lejet e ndërtimit dhe t’i vini ato në zbatim. Ofroj një trajtim jo klientelist, të hapur, ku secili prej jush do të gjeje hapësirën që meriton dhe kërkon”, - tha Basha. Për këtë arsye, kandidati i mazhorancës premtoi se brenda një kohe fare të shkurtër do të nisë edhe një operacion gjigant sa i përket infrastrukturës në Tiranë. “Kronologjia e kësaj axhende fillon me tenderimin brenda këtij viti të një pjese të Unazës së madhe, e cila fillon nga ura e Brarit deri tek ura e Kamzës, me një vlerë fillestare të përllogaritur prej 270 milionë euro. Si dhe tenderimin brenda këtij viti të projektit të kanalizimeve të Tiranës, me një vlerë 100 milionë euro, nga të cilat, më shumë se gjysma janë siguruar. Brenda qershorit 2012, nisjen e punimeve për linjën Kinostudio-Kombinat të tramvajit, dhe brenda dhjetorit 2012, nisja e linjës tjetër Bregu Lumit-Selitë, po me një vlerë të përllogaritur prej 100 milionë eurosh”, - tha Basha. Ai shtoi se 170 milionë euro janë rezervuar për nënkalime, parkime nëntokësore, akse të reja, dhe ndërhyrje të tjera brenda qytetit. “Kemi 170 milionë euro për një park të ri, të madh të Tiranës, rrjetin e rrugëve të brendshme të qytetit, sistemimin e lagjeve me infrastrukturë sekondare dhe 230 milionë euro për objekte të tjera të infrastrukturës sociale, kulturore, arsimore, pra kemi në total të planifikuar sipas këtij projekti, investime pak mbi 1 miliard euro në katër vitet e ardhshme”, - u shpreh Basha para ndërtuesve. Kandidati për kryebashkiak siguroi se kriteri i vetëm i përzgjedhjes së kompanive që do të kryejnë këto punime do të jetë cilësia dhe afati i përfundimit të punimeve. Basha ritheksoi gjithashtu angazhimin e tij për hipotekimin e apartamenteve brenda 6 muajsh, vlerësim real të pronës dhe krijimin e hapësirave publike. Po dje, kandidati i mazhorancës zhvilloi takime me banorë të njësisë numër 7 në kryeqytet. Brenda vitit të parë të mandatit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, parashikon hapjen e rreth 10 mijë vendeve të reja të punës. Përveç politikave fiskale, edhe ndërtimi i infrastrukturës siç është unaza e madhe, do të jenë gjeneratorë të rëndësishëm punësimi, tha Basha, ndërsa prezantoi kandidatin për kryetar të njësisë bashkiake numër 7, Krenar Alimehmeti. Në takimin me banorët e kësaj njësie, kandidati për kryetar bashkie, Lulzim Basha, bëri me dije se do të shqyrtohet ndërtimi në këtë zonë i një prej qendrave më të mëdha të panaireve, e cila do të ndikojë ndjeshëm edhe në shtimin e vendeve të punës.