E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampusi i ri Universitar i Tiranës, Rama shpalos projektin

Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama ka vendosur ta sfidojë në çdo hap rivalin e tij për zgjedhjet lokale të 8 majit, Lulzim Basha, duke bërë pothuajse të njëjtat premtime elektorale me kundërshtarin. Kështu, vetëm pak ditë pasi kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, u premtoi ballë për ballë studentëve, ndërtimin e një kampusi të ri universitar në kryeqytet, që do t’i jepte fund njëherë e mirë problemit të pazgjidhur të mungesës së auditorëve në fakultetet e universiteteve të Tiranës, dje, kreu i Bashkisë së Tiranës ka shpalosur projektin për ndërtimin e Kampusit të ri Universitar të Tiranës, që parashikohet të realizohet brenda vitit 2020. Sipas Bashkisë, ky është një projekt shumë i veçantë, pasi ka të bëjë me bazamentin ku duhet të ngrihet Tirana dhe Shqipëria e së nesërmes, që është dija. Pas prezantimit të bërë nga drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Rama, gjatë fjalës së tij vuri në dukje diferencat dhe hendekun e thellë që ekziston sipas tij, mes vizionit dhe rrugës që karakterizon Bashkinë e Tiranës dhe asaj force politike që sot qeveris vendin, duke theksuar gjithashtu se “zgjedhjet e 8 majit nuk janë zgjedhje mes partish, por janë zgjedhje mes të shkuarës dhe të ardhmes, zgjedhje të cilat përcaktojnë nivelin e lirisë individuale, nivelin e lirisë familjare dhe komunitare, e lirisë demokratike dhe lirisë ekonomike të gjithsecilit”. Gjithsesi, përtej fjalimit të gjatë të kreut të Bashkisë së Tiranës, me rastin e prezantimit të Kampusit të ri Universitar, që më së shumti ka qenë politik sesa për çështjen në fjalë, sipas projektit, Kampusi i ri Universitar do të ndërtohet në afërsi të Tufinës, në pjesën veri-lindore të Tiranës, me një akses të sigurt me rrugë, por edhe me shërbimin e transportit publik, sot me autobusë, dhe nesër, sipas Bashkisë, me linjën e re “Tram Tirana”, e cila lidh qendrën e qytetit me Kampusin e ri të Tufinës. Kampusi Universitar do të jetë projekti i 3 dimensioneve, që do të përfshijë trekëndëshin e dijes: edukim-kërkim-biznes. Sipas Bashkisë, ky projekt ofron një model të suksesshëm funksional dhe ka një profil unik në Tiranë, Shqipëri, rajon, pasi ai sjell së bashku: njerëz të ndryshëm me talent, ide, energji; disiplina/fusha të ndryshme të ekonomisë-teknologjisë-inovacionit; organizata publike dhe private, të edukimit, por edhe kompanitë, bizneset, qendrat e kërkimit; si dhe: studentë; akademik; kërkues; biznese/sipërmarrës të suksesshëm dhe me iniciativë. Në mënyrë të përmbledhur gjithë këtë bashkëveprim, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës e kanë quajtur “laborator” i “sipërmarrjeve” të vogla dhe të mëdha e të suksesshme, për t’u zhvendosur dhe zhvilluar pastaj në zonën përreth, në qytetin e Tiranës, në Rajonin Ballkanik. Ideja do të forcohet në dy vendndodhje, më konkretisht në 2 polet që fuqizojnë Tiranën: Universiteti Kamëz me drejtimin “Mjedis-agrobiznes-shërbime” dhe Kampusi i ri i Tufinës, me drejtimin “Ekonomi-Teknologji-Inovacion”. Sipas përfaqësuesve të Bashkisë, ideja për ndërtimin e këtij kampusi ka lindur nga Plani i ri Rregullues në vitin 2008, kur ka pasur zanafillën, e më pas është zhvilluar te Korniza Strategjike për Reformën në Arsim të Bashkisë së Tiranës në vitin 2009, në këtë projekt zhvillimi të kampusit të ri në vitin 2010. Ndërsa përfitimet e këtij projekti, do të shtrihen në zonën përreth Tufin-Allias-Paskuqan. Sipas Bashkisë, vendosja e kampusit në këtë pjesë të qytetit, do të rrisë prezencën e një komuniteti të ri studentësh, akademikësh, organizatash dhe kompanish të biznesit, në pjesën veri-lindore të qytetit, duke sjellë kështu një zhvillim të padiskutueshëm për zonën përreth. Por, përfaqësuesit e Bashkisë shprehen se kampusi do të ketë një impakt të sigurt edhe në qytet. Dhe me afrimin e vendeve të rajonit me njëri-tjetrin dhe Bashkimin Europian, si dhe me forcimin e lidhjeve tregtare mes tyre, ai do të ketë edhe impakt të suksesshëm në rajon.

Tramvaji, Shalsi: Qeveria nuk e ka miratuar projektin

Qeveria “Berisha” nuk e ka miratuar projektin e Tramvajit 5 vjet më parë dhe për këtë arsye, deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi ka akuzuar dje kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, se po mashtron qytetarët me premtimet e tij. Sipas Shalsit, Luli i Saliut ka premtuar se do ndërtojë tramvaj në kryeqytet, por ky projekt, siç tha Shalsi është gënjeshtra e radhës, pasi zbuloi se qeveria Berisha nuk e ka miratuar një projekt të tillë 5 vjet më parë. “Luli i Saliut tashmë jo vetëm që po del si njeriu që se ka idenë e Tiranës dhe të problemeve të Tiranës, por tashmë po përpiqet të mashtrojë qytetarët e Tiranës, duke u ofruar projekte që ai dhe qeveria e tij i kanë hedhur poshtë, si është rasti i tramvajit që do të kalonte nga treni tek Universiteti i Tiranës”, - tha Shalsi. Për këtë akuzë, deputeti i PS-së i referohet një vendimi të qeverisë së Berishës në vitin 2006, në të cilin shkruhet se “profili i Bulevardit Dëshmorët e Kombit t’i përmbahet profilit origjinal, pasi ky këshill nuk e miratoi ndërtimin e trasesë së tramvajit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›