Berisha: Rama e sheh Shqipërinë me gjyslykët e Ramizit
Kryeministri Berisha prezantoi dje dy kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Xhelal Mziun për Bashkinë e Kamzës dhe Kastriot Zerën për Bashkinë e Gramshit.
TIRANË- Në takimet e zhvilluara dje gjatë prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Kryeministri Sali Berisha ka premtuar më shumë rrugë, investime dhe zhvillim. Në takimin e zhvilluar dje pasdite në Kamëz, Berisha u kërkoi banorëve të Kamzës që më 8 maj vota e tyre të shkojë për kandidatin e koalicionit të djathtë, Xhelal Mziu, në mënyrë që sëbashku të vijojnë rrugën e nisur për ta shndërruar Kamzën në qytetin më të urbanizuar në vend. “Në këto 20 vjet, ju burrat dhe gratë e këtij qyteti derdhet lumenj djerse, por ndërtuat me sukses ëndrrën me te bukur të njeriut, ndërtuat Kamzën një qytet ndër me modernët. Cilido që do të prekë dhe të shohë rolin e qytetarit, le të vijë këtu, në Kamëz dhe të shohë se si është ndërtuar nga burrat dhe gratë e këtij qyteti, një qytet i tërë, sesi ky qytet nga ngrehina njëkatëshe u rrit në një qytet me vila dhe pallate, sesi këtu ju, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj ia dolët duke shfrytëzuar lirinë dhe pasuritë e saj, të ndërtoni qytetin e 6-të më të madh të vendit me një shpejtësi më të madhe se kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë”, - tha Berisha. Ndërsa në prezantimin e kandidatit të koalicionit të mazhorancës, për Bashkinë e Gramshit, Kastriot Zera, kryeministri Berisha premtoi se në katër vitet që do të vijnë investimet në këtë qytet do të rriten me 6 herë. “Unë ju garantoj dhe jam sot këtu për t’ju premtuar se në 4 vitet që vijnë investimet tona në qytetin dhe rrethin e Gramshit do të rriten me 6 herë, do të ndërtojmë rrugën e re buzë liqenit, që lidh Gramshin- Drizën- Shtërmenin- Cërrikun dhe Paprin. Atyre që ju mashtrojnë dhe ju thonë se rruga do kalojë prapa malit, do t’u thoni se kjo qeveri është qeveria që çan malet dhe nuk i nxjerr qytetarët prapa malit. Unë kam shumë kënaqësi që brenda dy viteve ju do të mbërrini në Tiranë për një kohë 50 minuta më të shkurtër dhe se Gramshi e Tirana do të kenë një distancë jo më të madhe se rreth 1 orë”, - tha dje Berisha. Kreu i ekzekutivit premtoi edhe ndërtim të rrjetit të brendshëm të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Por dje Berisha ka ashpërsuar tonet ndaj rivalit të tij socialist, Edi Rama. “Ju dëgjoni çdo ditë kreun e Partisë Socialiste, zotin Rama, të shpallë nga tribuna në tribunë qeverinë shqiptare si qeveri fashiste. Le t’i them këtij zotërie se qeveria shqiptare dhe Shqipëria janë anëtarë të Aleancës më të madhe të lirisë së kohërave, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ti i nderur zotëri që u paraqet shqiptarëve qeverinë e tyre si qeveri fashiste, ti e sheh demokracinë, e sheh Shqipërinë me gjyzlykët e Ramizit dhe të etërve të tu shpirtëror. Ti që u thua shqiptarëve se janë 1 milion të papunë, nuk bën gjë tjetër veçse përsërit shpifjet bajate të Ramiz Alisë, që 20 vjet më parë do tu deklaronte botës për të poshtëruar shqiptarë, se ata janë 1 milion hajdut, 1 milion spiunë, 1 milion të papunë”, tha Berisha duke ftuar në të njëjtën kohë qytetarët e Gramshit që të injorohen sharjet dhe trillimet.