Basha, sot në Bruksel: Shqipëria ka plotësuar kushtet për vizat
Qeveria shqiptare do të tentojë të bindë sot Brukselin, se ajo i ka plotësuar kushtet e vëna në këmbim të nisjes së liberalizimit të vizave. Raporti i progresit në marrëdhëniet me BE-në i përgatitur nga qeveria do të paraqitet nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, sot në strukturat e Komisionit Evropian, duke i dhënë kështu përgjigje pyetësorit të BE-së për këtë çështje. Ministri është optimist dhe thotë se për se Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Duke folur për BBC-në, ministri i Jashtëm tha se “raporti që do të dorëzohet, paraqet në mënyrë përgjithësuese tablonë më të plotë mbi të gjitha çështjet që Brukseli po merr në shqyrtim dhe do t’ia paraqesë Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili më tej pritet të përcaktojë rrjedhën e procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptare”. Sipas Bashës, Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vëna nga BE, ndërsa shprehu besimin e plotë se “ky vit do të jetë vendimtar për këtë hap historik”. Shefi i diplomacisë shqiptare ndonëse nuk jep datë, shpreson në një vendim të shpejtë nga Bashkimi Evropian. Ai i bëri thirrje opozitës, që “përtej retorikës elektorale, të njohë progresin e vendit”, ndërsa tha se “procesi ka ecur me një shpejtësi të papërfytyrueshme para dy-tre vjetësh nga shqiptarët”. Raporti është hapi i dytë që qeveria shqiptare hedh në kuadrin e përmbushjes së detyrimeve, që rrjedhin nga bashkëpunimi me BE-në për heqjen e vizave. Në muajin shtator të vitit të kaluar, Shqipëria së bashku me disa vende të tjera të Evropës Juglindore paraqitën raportet e tyre. Një nga pikat ku pritet të mbështet raporti i Tiranës është hedhja në qarkullim e kartave të identitetit, një nga kërkesat e vazhdueshme të Brukselit, si një element sigurie në lëvizjen e njerëzve. Gjithashtu, do të preket çështja e menaxhimit të kufijve dhe zbatimi i marrëveshjes së ripranimit të emigrantëve. Konsensusi politik që ka shoqëruar arenën politike kohët e fundit është një tjetër plus për vendin në këtë raportim. Ndërkohë, BBC citon dhe kritika të bëra nga opozita për këtë proces. Për opozitën, qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar kushtet. Arta Dade, ish-ministre e Jashtme e qeverive socialiste, radhiti çështjen e kartave të identitetit, menaxhimit të kufijve, moszbatimit siç duhet të marrëveshjes së ripranimit dhe luftës kundër krimit. Lehtësimi dhe më pas heqja e vizave për qytetarët shqiptarë që duan të lëvizin në hapësirën e vendeve evropiane, ka qenë një nga premtimet e qeverisë së djathtë të Kryeministrit Berisha gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, por tashmë kur mandati i kësaj mazhorance po mbaron, ish-ministrja e Jashtme socialiste, Arta Dade, pyet “nëse ka qeveria një datë konkrete”.
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, sot në Tiranë
Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, mbërrin sot për një vizitë zyrtare në Tiranë, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, z. Jean Asselborn. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ministri i Jashtëm i Luksemburgut, z. Jean Asselborn, do të ketë takim zyrtar me homologun e tij shqiptar, Lulzim Basha, në përfundim të të cilit do të jepet një konferencë e përbashkët për median. Gjithashtu, Asselborn do të ketë takime të veçanta me autoritetet më të larta të vendit, me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, z. Asselborn do të zhvillojë edhe vizita në Muzeun Kombëtar dhe në muzeun "Gj. K. Skënderbeu" në Krujë.