Anëtarët e KQZ-së, PS po kërkon ekspertë jashtë strukturave
Me afrimin e afatit kohor për të rikonfiguruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në bazë të Kodit Zgjedhor të sapomiratuar, Partia Socialiste është duke diskutuar për emrat që duhet ta përfaqësojnë atë. Jo zyrtarisht dhe ende pa u marrë në shqyrtim nga strukturat vendimmarrëse, lakohen disa emra të njohur brenda selisë rozë. Por burimet brenda kësaj partie sqarojnë se realisht drejtuesit e kësaj partie, kryesisht në diskutimin mes Ramës dhe kryetares së grupit parlamentar Valentina Leskaj, është menduar se emrat që duhet të përzgjedhin për të qenë kandidatë për në KQZ, duhet të vijnë jo nga strukturat e partisë, pra jo të integruar. Megjithatë, burimet saktësojnë se nuk ka ende një vendim konkret dhe se gjithçka është në dorën e vetë kryetarit Edi Rama për të vendosur. Ndërsa në media është përfolur një tjetër version, ai që një prej anëtarëve ekzistues të PS-së në KQZ do të gëzojë fatin e rikandidimit duke i shtuar këtu edhe një tjetër emër. Sipas ekspertëve, partitë duhet të rikonfigurojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri në datën 10 shkurt, ndërsa partitë deri më tani, të paktën publikisht, nuk kanë shfaqur asnjë lloj interesi për të zgjedhur dhe zbuluar emrat që duhet t’i përfaqësojnë. Veç kësaj, dy partive të mëdha u duhet të mbyllin mosmarrëveshjet me të vegjlit, për shkak të një anëtari që duhet të vijë respektivisht nga të dyja palët me pëlqimin e PD-PS. E djathta duket se u ka dhënë fund dhe e ka të qartë se kujt i takon anëtari nga partitë aleate, ndërsa vazhdojnë problemet mes të majtëve. Mundësia e fundit që i mbetet LSI-së që të përfaqësohet, por edhe PS-së që të pajtohet me ish-aleatin, është që të lejojë që anëtari tjetër të vijë nga radhët e kësaj partie, megjithëse kjo do të ngjallë xhelozinë e reagimin e Gjinushit. KQZ-ja ka qenë përherë mollë sherri mes partive politike.