E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri hedh idenë e zhvendosjes së stadiumit “Qemal Stafa”



Këshilli i Rregullim Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi dje një projekt i cili do të kthejë të gjithë aneksin e stadiumit “Qemal Stafa” në një park të madh çlodhës. Atje do të ndërtohen fusha sportesh të ndryshme si tenisi, si dhe zona çlodhëse. Por kreu i qeverisë hodhi idenë për ta zhvendosur këtë stadium në periferi. Kryeministri tha më tej se në të ardhmen duhet të gjendet mënyra për zhvendosjen e stadiumit “Qemal Stafa” në mënyrë që ai mjedis të përdoret për një park tjetër më të madh. “Nuk besoj të ketë në vend tjetër të botës stadiumin në qendër të qytetit. Ai është projektuar për një Tiranë sa një e treta e asaj që është sot, ndaj dhe duhet gjendur një vend tjetër për ndërtimin e një stadiumi të ri, me të gjithë parametrat”, - tha Berisha. Por ministri i Turizmit dhe Sporteve, Ylli Pango, e kundërshtoi këtë ide të shefit të tij, duke thënë: “Për këtë stadium ka një projekt nga UEFA prej 5 milionë eurosh për ta bërë modern”. Por Kryeministri e mbrojti argumentin e vet, duke shtuar se duhet gjetur një rrugë më e mirë në mënyrë që stadiumi të zhvendoset dhe projekti i UEFA-s të zbatohet në stadiumin e ri. Kreu i qeverisë siguroi se stadiumi në fjalë nuk do të prishet, pa u ngritur një i ri. Ky stadium është ngritur në vitet ‘60 dhe është stadiumi kryesor i vendit. Por sipas shefit të qeverisë, një stadium i ri duhet të ketë të gjithë parametrat modernë, që nga vendet e parkimit për tifozët deri në kapacitetin e madh për të mbajtur sportdashësit. Kjo ide hidhet për herë të parë në KKRTSH dhe pritet të ngjallë debat dhe interesim. Vetë Pango u tërhoq duke thënë se do të diskutohet mundësia e zhvendosjes së stadiumit më të madh të vendit. Sipas tij, ka mjaft vende në periferi të kryeqytetit për të ndërtuar një tjetër me parametra më të mirë.

Projektet e miratuara në KRRTRSH

Plani rregullues i plazhit të Divjakës

Plani rregullues i qytetit të Peqinit

Rruga Berat - Lushnjë

Zgjerimi i portit të Durrësit

Rruga lidhëse mes Transballkanikes dhe autostradës Levan - Vlorë

Kompleks vilash në fshatin Lundër

Kompleks biznesi në veri të qytetit të Tiranës

Rruga Qafë-Botë - Konispol

Hidrocentrali i Lukovës, i Zall-Bulqizës dhe i Tienovës

Ndërtimi i një kompleksi të madh për blegtorinë

Plan zhvillimi në Farkë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›