Pensioni i plotë për burrat, kushtet për përfitimin e tij
Jonida Tashi
Mosha e daljes në pension dhe koha e punës për ta përfituar atë do të ndryshojnë sipas një skeme të përcaktuar. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë kanë përcaktuar kushtet e reja të përfitimit të pensionit të plotë për meshkujt. Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti dhe deri më 30 qershor të vitit 2009, të gjithë burrat që duan të përfitojnë pensione pleqërie dhe bëjnë pjesë në kategorinë e parë, duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj si dhe duhet të kenë 35 vite pune të siguruara. Nga data 1 korrik e vitit 2008 e në vazhdim minatorët e profesionet e tjera që kanë punuar në nëntokë do të dalin në pension të plotë në moshën 65 vjeç, kur të kenë punuar gjithsej 35 vite.
Kategoritë
Specialistët e ISSH-së sqarojnë se për punë të kategorisë së parë, mosha për të dalë në pension për burrat nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Por, ndryshe nga dy kategoritë e tjera, këtu shënohet rritje e viteve të nevojshme për të përfituar pension pleqërie. Kështu, periudha e sigurimit është përcaktuar 29 vite për burrin për punë të kategorisë së parë. Për punë të kategorisë së dytë, mosha për të përfituar një pension pleqërie shtyhet me disa vite më shumë për burrin. Mosha optimale për të përfituar një pension pleqërie për burrin nga 1 korriku 2008 deri më 30 qershor 2009 për punë të kategorisë së parë është 57 vjeç, kurse periudha e sigurimit 29 vite; për punë të kategorisë së dytë është 62 vjeç e 6 muaj dhe 35 vite pune; për punë të kategorisë së tretë është 63 vjeç e 6 muaj dhe 35 vite pune. Për punë të kategorisë së tretë, mosha për t’u bërë përfitues i një pensioni pleqërie është rritur me 6 muaj. Pra për të përfituar pension brenda kësaj periudhe kohore, burrat duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj.
Kushtet
Kështu, sipas legjislacionit, mosha e daljes në pension dhe koha e punës për të përfituar pension do të ndryshojnë sipas një skeme të përcaktuar. Për kategorinë e parë, ku përfshihen punët e vështira si, puna në minierë, mosha e pensionit për meshkujt nga 54 vjeç në vitin 2001, do të shkojë 65 vjeç në 2023 dhe vjetërsia në punë, nga 24 vjet do të duhen 35 vjet pune. Për dy kategoritë e tjera, arritja e moshës 65 vjeç bëhet më shpejt. Kështu, të gjithë meshkujt që dalin në pension pas vitit 2014 dhe kanë punuar në kategorinë e dytë, do të dalin në pension pas 35 viteve punë në moshën 65 vjeç, ndërsa ata të kategorisë së tretë e kapin këtë moshë në vitin 2013. Pensionet ndahen në tri kategori kryesore: të pleqërisë, që zënë 81 për qind të numrit të përgjithshëm; familjare 13 për qind dhe ato të invaliditetit me 6 për qind. Në vendin tonë ka mesatarisht një pensionist për çdo familje. Fondet e sigurimeve shoqërore në shkallë vendi zënë mbi një të pestën e buxhetit të shtetit. Kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension të pleqërisë, pavarësisht nga gjinia, mbështetur në nenin 31 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore, janë tre: Moshën, e cila ndryshon sipas gjinisë dhe kategorive të punës, sipas vështirësive të përcaktuara me ligj; Vitet e punës të siguruara nga 15 vjet deri në 35 vjet. (15 vjet për të përfituar pension të pjesshëm dhe 35 vjet punë e siguruar për pension të plotë, gjithnjë kur plotëson moshën, sipas viteve në zbatim të tabelave të mëposhtme); Të jenë ndërprerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës.
I siguruari
I siguruari ka të drejtë të marrë pension pleqërie në kushtet e kategorisë së parë (ku përfshihen profesionet më të vështira), pasi të ketë plotësuar në këtë kategori vitet e punës së përgjithshme të siguruara dhe jo më pak se 3/4 e viteve të punës të siguruara gjithsej të kenë punuar në profesionet e vështira, me përjashtim të minatorëve të nëntokës dhe disa profesioneve të tjera që kanë punuar po nëntokë që u kërkohen të kenë punuar gjithsej gjysmën e viteve të punës. Sipas ligjit, personat e siguruar kanë të drejtë të kërkojnë të përfitojnë me dëshirën e tyre, pension pleqërie të reduktuar, kur plotësojnë këto kushte: kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet punë të siguruar gjithsej në vendin tonë, pavarësisht nga gjinia: kanë mbushur moshën 62 vjeç, për meshkuj; të mos kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar, pra të kenë prerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës kur ajo është shtetërore.
Profesionet e ndara në kategori
Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.
Kategoria e parë
Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuare, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj.
Kategoria e dytë
Në punë të kategorisë së dytë për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.
Kategoria e tretë
Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.
19 Gusht 2008