KLSH: Prokurimet në Ministrinë e Brendshme, jashtë standardeve
Habjon Hasani
Tenderat dhe prokurimet në Ministrinë e Brendshme kanë rezultuar të gjithë me probleme serioze dhe shkelje shumë të dëmshme nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raporti i këtij institucioni (për kontrollin e viteve 2005-2007). Ndërkohë që dëmet llogariten në qindra miliona lekë. ”Nga kontrolli i dokumentacionit të procedurave të prokurimit dhe zbatimit të kontratave për disa tendera u konstatuan mangësi, parregullsi e shkelje të ligjit e akteve nënligjore për prokurimet”, - shkruhet në raportin e KLSH-së. Ky raport vë në dukje dhe abuzimet me tenderimet e blerjeve të këpucëve për Policinë e Shtetit. Me një shumë totale prej 65 milionë lekësh tenderimet e këpucëve kanë tejkaluar çdo normë kontrolli lidhur me prokurimin për prodhimin e tyre. ”Treguesit e mostrave të paraqitura nga specifikimet teknike të kërkuara kanë devijime dhe tek ofertat e subjekteve të tjera të paraqitura në tender. Nga grupi i specialistëve, devijimet në përmasa janë konsideruar materialisht të vogla, që nuk cenojnë mostrën dhe eliminohen gjatë procesit të prodhimit. Duke iu referuar kërkesave të përcaktuara në dokumentet e tenderit, përcaktimeve në standardin shtetëror, devijimet e vogla janë përcaktuar në diapazone (+ ose -), jashtë të cilave konsiderohen mosplotësim i kërkesave të dokumenteve të tenderit”, - shkruhet në raport.
Abuzimet
Një tjetër tender me një vlerë të konsiderueshme prej 102 milionë lekësh është ai për “Rikonstruksionin e godinës qendrore të DP Qarku Durrës”. Nga kontrolli i dokumentacionit mbi kryerjen e procedurave të përgatitjes së dokumenteve, kualifikimit, krahasimit dhe klasifikimit të ofertave konstatohet se komisioni i vlerësimit të ofertave dhe komisioni i hartimit të dokumenteve të tenderit nuk kanë plotësuar deklaratën për lidhje nepotike përpara fillimit të procedurave të tenderimit duke mos plotësuar kërkesat e përcaktuara në udhëzimin e Këshillit të Ministrave. ”Në kërkesat e përgjithshme për kualifikim (dokumentet ligjore administrative) është futur një kërkesë për numrin e punonjësve të siguruar. Është kërkuar që sigurimi i jo më pak se 50 punonjësve të vërtetohet me dokumentacion për 12 muajt e vitit 2005 dhe muajt mars, prill, maj, qershor 2006. Futja e këtij kushti në kërkesat e përgjithshme për kualifikim është shkelje e kërkesave standarde dhe në kundërshtim me nenin 12/1, të Ligjit nr. 7971, datë 26.7.1995 ‘Për prokurimin publik’”, - shkruhet në raport.
Godina
Një tjetër tender problematik është shfaqur edhe ai për blerje “Kostum blu policie për meshkuj, kostum blu policie për femra dhe kostum ceremonial”. “Theksojmë se ofertat nuk janë vlerësuar padrejtësisht edhe për faktin se komisioni, pas verifikimit të mostrave të paraqitura dhe të shoqëruara me fletë-analizën e laboratorit përkatëse të lëndës së parë, ka bërë verifikim me matje fizike të numrit të fijeve dhe konkludon se numri i fijeve nuk përputhet me fletë-analizën, veprim ky i paparashikuar në kërkesat kualifikuese. Si përfundim, mosvlerësimi i ofertave dhe anulimi i procedurës së prokurimit me argumentimin “për mangësi në specifikimet teknike”, ndërsa në fakt nuk rezultojnë mangësi teknike për mospërfshirje të saj në kërkesat për kualifikim, është në kundërshtim me ligjin. Për këtë ngarkohen me përgjegjësi komisioni i vlerësimit të ofertave dhe juristi i njësisë së prokurimit”, - shkruhet në raport.
Strukturat e Policisë punojnë në objekte të paregjistruara
Një problem i hasur nga ekspertët e KLSH-së është dhe regjistrimi i disa pronave të kësaj ministrie. “Objekte të paregjistruara sipas të dhënave që disponon Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë Drejtoritë e Policisë së Qarqeve: Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Kukës, Shkodër, Vlorë e Tiranë, si dhe Komisariatet e Policive në Skrapar, Porti i Durrësit, Krujë, Mat, Lushnjë, Pogradec, Has, Tropojë, Sarandë, Komisariati nr. 1, 2, 4, 5, Policia Rrugore, Ruajtja e Objekteve DRSO, Rinas, Qendra e Furnizimit Materialo-Teknik Tiranë, Reparti 733 FNSH në Kukës dhe Reparti 712 FNSH Tiranë, duke u tejkaluar të gjitha afatet kohore të parashikuara në aktet ligjore e nënligjore dhe konkretisht me kërkesat e Ligjit nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”. Sipas sqarimeve të bëra nga subjekti, kjo ka ardhur për efekt të pamjaftueshmërisë së fondeve të akorduara për këtë qëllim”, - shkruhet në raport.
Auditimi dështon edhe në Ministrinë e Brendshme
“Nga kontrolli i dokumenteve rezulton se Drejtoria e Auditimit nuk ka studiuar dhe përcaktuar nevojat për auditim me frekuence deri në dy vjet. Është kërkuar nga grupi i KLSH-së që të argumentohet mosplotësimi i kësaj kërkese dhe nxjerrja e përgjegjësisë, pasi në planin strategjik të hartuar dhe përmirësuar disa herë gjatë dy viteve të periudhës së kontrollit, nuk përcaktohet ndonjë opsion i qartë për lënien jashtë auditimit të rreth 50 subjekteve. Njësitë e auditimit të strukturave vartëse në qarqe e prefektura mbulojnë 440 subjekte që i nënshtrohen kontrollit, kanë parashikuar 406 të tilla, duke lënë jashtë auditimit 34 subjekte, kur struktura organike e tyre nga 53 veta është plotësuar në 51 veta. Në fakt janë mbuluar 259 subjekte, më pak 147 të tilla. Materiale të paevaduara në fund të vitit kanë mbetur 21 P/raporte. Nga grupet e auditimit të strukturave vartëse janë evidentuar shkelje me dëm ekonomik 303 316 mijë lekë, të kryera nga 29 797 persona, nga të cilat dëme efekte të evazionit fiskal 174 883 mijë lekë nga 20 120 persona; dëme në mungesa në shumën 11948 mijë lekë, nga 11948 persona dhe shkelje të disiplinës financiare shuma 97 534 mijë lekë, nga 9 925 persona. Zbulime në vlera të konsiderueshme janë konstatuar në Degët në Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë, Elbasan, Tiranë”.
19 Gusht 2008