Javët gjermane, lajtmotivi rënia e Murit të Berlinit
Për të tretin vit rradhazi rikthehet “Tetori gjerman”, që këtë vit do të ketë si lajtmotiv 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit. Në konferencën për shtyp ku merrte pjesë edhe Ambasadori Bernd Borcard u lançuan aktivitetet e javëve gjermane. Nga 2 tetori deri me 20 nëntor do të zhvillohen aktivitete të tilla si Ditët e filmit gjerman, me filma që trajtojnë temën e rënies së murit të Berlinit, filma që do të shfaqen në kinemanë e Akademisë Marubi. Pjesë e aktiviteteve do të jetë një ekspozitë artistike, e cila ka në qendër zhvillimet e artit europian pas kthesës politike të viteve 1989-1990; një premierë teatrale e titulluar “Fëmijët e Murit”, ndërsa në diten e përvjetorit të rënies së murit të Belinit, më 9 nëntor në mjediset e Ambasadës do të çelet një ekspozitë me postera që hedhin dritë mbi sfondin historik të ngjarjeve të asaj kohe.