E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në njësinë 4: E vetmja rrugë, të largojmë qeverinë

TIRANË- Kryetari i opozitës dhe i Bashkisë Tiranë, Edi Rama, zhvilloi dje takime spontane me banorë të njësisë numër katër. Rama prezantoi edhe kandidatin e PS-së për këtë njësi, Vait Kalaja. Gjatë bashkëbisedimit me një grua, Rama i ka kërkuar asaj që më 8 maj të japë votën pro rrugës së vetme për Tiranën dhe gjithë Shqipërisë. “Për të luftuar papunësinë, për të luftuar çmimet e rritura, për të luftuar varfërinë, ka vetëm një rrugë, duhet të largojmë qeverinë. Sepse këto janë punët e qeverisë, e qeveria nuk i bën këto punë. Ndaj na duhet një qeveri që t’i bëjë këto punë, që populli të ketë punësim, që populli të ketë lekë, që populli të ketë mundësi të jetojë normalisht, që fëmijët të rriten si europianë”, - tha dje Rama. Edhe një grua tjetër u ankua mbi gjendjen e familjes së saj. “Fukarallëk i gjallë. Dritat, s’ka ku të shkojnë më”, - tha ajo. Ndërsa Rama u shpreh se për të gjitha këto duhet kërkuar llogari përmes votës. “Që ta vdesim fukarallëkun, duhet t’i japim krahë shpresës, kështu që më 8 maj, atje tek kutia e votimit, dhe të gjitha këto kërkoja si llogari qeverisë”, - u përgjigj Rama. Kryetari që kërkon një mandat të katërt për Bashkinë e Tiranës ka theksuar se beteja e madhe nuk është elektorale, por beteja me varfërinë, papunësinë. “Puna nuk është të fitojmë thjesht zgjedhjet. Puna është të fitojmë me varfërinë, të fitojmë me papunësinë. Të fitojmë me këto çmime që e mbytën këtë popull”, - tha ai. Rama vijoi dje një rrugëtim prej mëse dy orësh, në rrugët e rrugicat e njësisë numër katër, ndërkohë që nuk hezitoi të bënte batuta apo të udhëtonte një pjesë të rrugës me autobusët e linjës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›