E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha urdhër vendorëve: Përmbyllni sistemin e adresave

“Vendimet për emërtimet e rrugëve dhe pjesëve të tjera publike të territorit duhet të përfundojnë jo më vonë se fundi i muajit qershor 2010. Ministria e Brendshme e konsideron të papranueshme që përfundimi i kësaj detyre mbahet peng nga mungesa e vendimmarrjeve në këshillat tuaj për rrugët akoma të paemërtuara”, tha Basha.

Këtë apel, ministri Basha e bëri gjatë takimit me krerët e 73 njësive vendore, bashki e komuna, të cilat janë tashmë në fazën e emërtimit të rrugëve dhe ende nuk kanë marrë vendime në këshillat bashkiakë dhe komunalë për këtë çështje.

Këto njësi me ecuri më të ngadaltë në projekt, janë pjesë e grupit të parë, të dytë e të tretë të projektit, grupe në të cilat janë rreth 220 njësi vendore, që në tërësi mbulojnë një territor ku banojnë rreth 3.8 milion qytetarë, pra pjesa më e madhe e popullsisë, ndërkohë për njësitë vendore të grupit të katërt dhe të pestë u la detyrë nga Ministri Basha që të përfundojnë emërtimin e rrugëve dhe pjesëve të tjera të territorit publik brenda muajit korrik 2010.

“Regjistrin elektronik e përfunduam, pajisja e qytetarëve me dokumentat e identitetit po ecën në mënyrë optimale, me shifrat më të larta në rajon, mbetet që çdo qytetar në mënyrë elektronike të ketë “shtëpinë e tij dixhitale” në regjistrin elektronik të adresave të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh kreu i Ministrisë së Brendshme. Ministri Basha u tërhoqi vëmendjen dhe kërkoi bashkëpunimin e drejtuesve vendorë edhe për të marrë masat e nevojshme gjatë sezonit turistik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›